E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasësi i Toulouse: Kam ulur Francën në gjunjë

Arrestimi i vëllait të vrasësit

Policia franceze identifikoi vrasësin e shtatë personave në Toulouse dhe një qytezë pranë saj dhe rrethoi që në orët e para të mëngjesit të djeshëm apartamentin e tij me 300 efektivë. Vrasësi ekzekutoi një ditë më parë tre fëmijë dhe një mësues hebraik në një shkollë në Toulouse, si dhe tre paraushtarakë. I menduar më parë si një neonazist për shkak të përzgjedhjes së viktimave të tij, katër hebrenj dhe tre me origjinë afrikane, vrasësi rezultoi se ishte radikal islamik i lidhur me Al Kaedën. Ai kishte qenë më parë në Afganistan dhe Pakistan. Ushtarët amerikanë e kishin kapur atë në Afganistan dhe e kishin kthyer në Francë. Mohamed Merah, 24 vjeç, i ka pranuar krimet e tij dhe ka deklaruar se e vetmja keqardhje për të ishte se nuk arriti të përfundojë edhe vrasjet që kishte planifikuar për ditën e  djeshme, dy ushtarë të tjerë dhe një polic. Ai deklaroi se do të dorëzohej pasdite vonë, por deri në 18 orë pas rrethimit kjo nuk ndodhi. Vrasësi u gjet pasi i kishte dërguar një e-mail ushtarit të parë të vrarë, me të cilin kishte arritur të krijonte kontakt si blerës i motorit të tij. Policia e dinte se ky person kishte bindje radikale islame, por nuk kishte parashikuar se ai do të arrinte deri në vrasje. Prokurori francez, Fransua Molins, the se telefoni i tij ishte në përgjim pasi njihej si radikal, prandaj edhe identifikimi u bë mjaft shpejt. Merah kishte përdorur adresën e e-mailit me emrin e nënës së tij për të kontaktuar me ushtarin e parë francez, të cilit i mori jetën. Vëllai dhe e dashura e tij u arrestuan, pasi edhe ata njiheshin për bindje radikale. Merah, me baba francez dhe nënë algjeriane, ka hedhur nga dritarja e apartamentit të tij një pistoletë Colt 45, por sërish ishte i armatosur. Dy policë janë plagosur nga shkëmbimi i të shtënave në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Në këmbim të pistoletës ai kërkoi një pajisje komunikimi. Mehar tha se kishte planifikuar vrasje të tjetra dhe se kishte arritur ta ulte Francën në gjunjët e tij.

Funerali i viktimave
Dje Në Francë u bë funerali i tre ushtarëve të vrarë nga ekstremisti i Toulouse, ndërsa në Jerusalem, Izrael, u varrosën dje trupat e tre fëmijëve dhe një mësuesi hebraik, të cilët u ekzekutuan nga i njëjti person një ditë më parë. Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, i cili ka ndërprerë fushatën e tij elektorale për këtë rast, gjatë ceremonisë në nder të 3 ushtarëve siguroi se ky krim nuk do kalojë pa u ndëshkuar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›