Shpërthimi në shtëpinë e zyrtarit, hetime në tri pista
Ndonëse kanë kaluar dy ditë nga shpërthimi me tritol në derën e shtëpisë së kryetarit të Qarkut të Kukësit, policia dhe prokuroria e rrethit ende nuk kanë një version zyrtar të hetimeve të ngjarjes. Kërkimet janë shtrirë në disa pista për të cilat janë marrë në pyetje më shumë se 20 persona, si dhe janë shoqëruar më shumë se dhjetë të tjerë. Por deri pasditen e djeshme nuk ka pasur asnjë të ndaluar me akuzën e vendosjes së lëndëve plasëse te dera e kryetarit të Qarkut të Kukësit, Shefqet Bruka. Drejtoria e Policisë së Kukësit bën të ditur se në hetimet për ngjarjen në fjalë, përveç dy pistave ku është hetuar deri tani, si ajo për shkak të detyrës dhe ajo private, po hetohet edhe në pistën e motiveve politike. Shefqet Bruka, 47 vjeç, u zgjodh në krye të Qarkut të Kukësit në vitin 2007, ndërsa punonte deri atëherë në një program të UNDP për rajonin. Ai më herët ka drejtuar degën lokale të PD-së, si dhe ka qenë kryetar i Këshillit të Rrethit të Kukësit.
#