Vrasja e Shkopetit, dëshmon e dashura e të masakruarit
PROCESI/ Shtetasja nga Tirana tregoi se i pandehuri ishte me të dashurin e saj ditën e vrasjes së tij
BURREL - Dëshmia e të dashurës së Maksim Lalës, i ekzekutuar dhe përçudnuar edhe si kufomë në afërsi të Shkopetit, sipas burimeve nga prokuroria e Burrelit, duket se e ka fundosur çdo alibi të të akuzuarit për këtë vrasje, Luftar Reçi. I.V, vajza nga Tirana që ka bashkëjetuar për disa muaj me Lalën, duke dëshmuar para trupit gjykues, ka rindërtuar dje në seancën gjyqësore në Gjykatën e Matit, tërë skenën e ngjarjes.
Ajo tha se më 10 maj 2005 kishte folur me të dashurin e saj deri në orët e vona të mbrëmjes dhe se ai i është shprehur se "po udhëtonte nga Tirana në drejtim të Burrelit së bashku me Luftar Reçin". Më tej, ajo ka folur disa herë me Maksimin ku i thuhej gjithnjë se ishte me Luftarin.
Por pas orës 22:00 telefoni i tij nuk i është hapur më, edhe pse e ka kërkuar ritmikisht atë. Kjo e ka shqetësuar. Ajo deklaroi se Maksimi me Luftarin ishin shokë dhe rrinin vazhdimisht bashkë, por nuk dinte asgjë rreth aktivitetit me të cilin merreshin.
Duke qenë se telefoni i të dashurit të saj nuk po hapej as të nesërmen, ajo ka bërë një kallëzim në komisariatin nr.4 të Tiranës, duke u shprehur se Maksimi mund të ishte zhdukur. Janë këto deklarime, në të njëjtën linjë të dhënë edhe në vitin 2005 para hetuesve të Krimeve të Rënda, që janë vlerësuar nga organi i akuzës si shumë të rëndësishme për ecurinë e këtij procesi gjyqësor.
Deri më tash ka përfunduar pyetja e dëshmitarëve dhe sigurimi i provave, ndërsa pritet që në fillim të muajit mars të formulohet dhe pretenca. Ndërkohë mësohet se drejtori i Krimeve të Rënda ka udhëtuar dy herë me helikopter në drejtim të Burrelit për të marrë kontakte me Luftar Reçin, me shpresë se mund të ishte i penduari i drejtësisë për të zbërthyer një rrjet të narkotrafikut që mendohet të ketë qenë i mirëstrukturuar.
Dibrani Luftar Reçi u arrestua nga policia e Tiranës pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar si i dyshuar për vrasjen e Maksim Lalës në aksin nacional Milot-Burrel, së bashku me nipin e tij T.Elezi, i cili ndodhet në burg edhe nën akuzën si i dyshuar për vrasjen e një taksisti. Vrasja e Lalës u bë në afërsi të liqenit të Shkopetit tek ura e Kallamishtes.
Pas dy orë torturash atij i vendosin një thes në kokë dhe e qëllojnë me tri plumba nga pas, ndërsa më pas kufomën e tij e djegin dhe e hedhin në greminë. I shumëkërkuari Reçi u kap në afërsi të ish-serave në Allias, pas akuzave të adresuara ndaj tij për "vrasje me paramendim" dhe "trafikim të lëndëve narkotike".