E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovarët e Elbasanit: Shpresojmë bashkimin e trojeve

PAVARËSIA/ Familja Krasniqi, e ardhur nga Kosova në vitet '30 feston 1-vjetorin e shpalljes së pavarësisë

ELBASAN - Elbasani ka një lidhje të veçantë me Kosovën. Shumë prej familjeve kosovare të dëbuara gati një shekull më parë nga trojet e tyre, u vendosën në një fushë në këtë qytet dhe ndërtuan shtëpi, pranë të cilave banojnë edhe sot.

Ajo që të bën përshtypje në këtë lagje është rregullsia e shtëpive, portokallet, vreshtat, por sidomos mikpritja e këtyre familjeve që tashmë janë kthyer në pjesë të Elbasanit dhe e ndiejnë më shumë se kushdo festën e Pavarësisë së Kosovës.


Teksa vazhdon rrugën kryesore të lagjes, kupton se po i afrohesh këtij komuniteti, i cili ka ruajtur tradita e zakone, por gjithashtu edhe kujtime nga periudhat e vështira që kanë kaluar familjet e tyre të dëbuara nga serbët në fillimshekullin e kaluar.

Festa e pavarësisë

Dita e pavarësisë së Kosovës është shënuar me të kuqe në kalendarin e këtyre familjeve. Agim Krasniqi, që ka ndjekur me shumë kujdes të gjitha zhvillimet për Kosovën, thotë se kjo datë e shënuar është pritur për vite me radhë brez pas brezi. "Të parët tanë, prindërit, gjyshërit e stërgjyshërit nuk mundën ta jetojnë e na u dha mundësia ne të gëzojmë pavarësinë.


Ajo që kemi dëshirë dhe urojmë të realizohet është bashkimi i trojeve shqiptare, Kosovë, Maqedoni e Çamëri. Populli shqiptar e meriton një dhuratë të tillë nga vendet evropiane dhe nga Fuqitë e Mëdha, pasi ishin ato që i bënë një padrejtësi të madhe.


Dhurata më e bukur që kam marrë për pavarësinë e Kosovës, ka qenë nga kushurinjtë e mi në Gjilan. Ata më dërguan një libër për vendlindjen e të parëve me titullin "Velia Gllava" i Hysen Kërçykut nën titullin "Ëndërr e ripërtërime".


Bashkë me këtë libër na kanë ardhur edhe rrënjët, si dhe pema gjenealogjike e familjes Krasniqi që nga fillimet në vitin 1720 e deri tek ne që jemi vendosur këtu në Elbasan. Ne jemi një komb, kemi lidhje të fuqishme me Shqipërinë e Kosovën dhe duam që dy popujt të jenë të bashkuar".


Komuniteti kosovar në festë


Në ditën kur Kosova mbush një vit nga shpallja e pavarësisë, familjet kosovare në Elbasan e kanë kthyer në festë të përbashkët. Ata shkëmbejnë vizita me njëri-tjetrin, urime dhe përcjellin po ashtu gëzimin e tyre tek kushërinjtë, të afërmit dhe tek i gjithë populli kosovar për këtë ditë të rëndësishme.


Shefkiu, kryefamiljar dhe përfaqësues i fisit të madh Krasniqi, tregon se kjo ditë e shënuar ka një simbol të veçantë pasi populli kosovar ka sakrifikuar shumë për të gëzuar ditë të lira. "Ne jemi pasardhës të atyre që u dëbuan dhe duke u endur nëpër Shqipëri u vendosën këtu në Fushëmbret.


Lidhja me pavarësinë dhe me flamurin është mjaft e madhe për çdo familje, por unë do të kujtoja dajën tim Mehmet Raga, i cili në Kaçanik në vitin 1968 ngriti flamurin kuqezi, - thotë Shefkiu.

Ndërkohë, amvisat po përgatisin drekën e Pavarësisë. "Ne na u shtua edhe një festë më shumë që ka edhe mjaft kuptim për ne, - thotë Alemshaja, e cila ishte në kulmin e punës për t'i ofruar familjes një drekë sa më të mirë.

- Do të bashkohemi të gjithë bashkë siç e kemi zakon në raste festash e do të ngremë dolli për Pavarësinë e Kosovës. Ky fëmijë i shumëpritur tashmë u bë 1 vjeç. Le të bëhet një mijë vjeç e më shumë, - uron Shefki Krasniqi.


Mbërritja e kosovarëve


Agim Krasniqi është një nga pasardhësit që ka vendosur të mos e prishë shtëpinë që prindërit e tij e ndërtuan sapo u vendosën në fushën e Elbasanit në vitin 1936. "Kjo shtëpi është simbol për mua dhe jam munduar ta ruaj siç ka qenë.


Këtu prindërit e mi ngritën shtëpinë për të ndërtuar jetën e tyre, sigurisht me mikpritjen dhe me mbështetjen edhe të mbretit të atëhershëm të shqiptarëve. Gjyshi im bashkë me shumë familje të tjera kosovare u larguan nga trevat e tyre për shkak të përndjekjes dhe të sulmit të serbëve në zona të caktuara.


Fillimisht familjet u vendosën në Lushnjë. Për 6 muaj njëri prej vëllezërve humbi 5 pjesëtarë të familjes nga malarja. Nisur nga përhapja në masë e kësaj sëmundjeje, gjyshi vendosi të udhëtojë për të gjetur një vend tjetër qëndrimi. Me mjetet e atëhershme kishte mbërritur në Elbasan.


Ai kishte pëlqyer klimën e ujin e pijshëm duke marrë të gjithë pjesëtarët e mbetur dhe duke i sjellë në këtë qytet. Falë një mjeku dy fëmijët e sëmurë me malarje u shëruan dhe pas disa kohësh me qira, me dëshirën e mbretit Zog na u dha mundësia që në vitin 1936 të vendoseshim në këtë fushë ku filluan të ndërtoheshin shtëpitë e para.


Po kështu në kohën e Zogut familjeve iu dha edhe ndihmë ekonomike për të jetuar në vitet e para. Kanë qenë gjithsej 9 shtëpi fillimisht ndërsa tani janë bërë me qindra". Kjo zonë u quajt që atëherë Fushëmbret.



1 vit Pavarësi, aktivitete në shkolla


Shkollat e qytetit të Elbasanit kanë zhvilluar aktivitete të ndryshme me rastin e 1-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Shkolla "Naim Frashëri" ka zhvilluar mëngjesin letrar me poezi me karakter patriotik, por edhe kushtuar Kosovës.


Në këtë aktivitet ka marrë pjesë prefekti i Elbasanit, Shefqet Deliallisi, dhe drejtoresha e Arsimit, Mimoza Matraxhiu. Ndërkohë shkolla "Qemal Haxhihasani" ka organizuar një koncert festiv kushtuar 17 shkurtit. Në këtë aktivitet nxënësit kanë recituar, kënduar dhe kanë marrë pjesë në aktivitete të ndryshme, si vlerësimi i nxënësve më të mirë, konkursi i vizatimeve më të bukura me temë Pavarësinë e Kosovës etj. Bashkia e qytetit të Elbasanit ka menduar ta kujtojë këtë ditë nëpërmjet flamujve dhe posterave për festën e Pavarësisë së Kosovës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›