Investimet, Berisha përshëndet forumin e biznesit
Kreu i qeverisë shqiptare dhe homologu i tij estonez morën pjesë dje në forumin e biznesit “Investement in Albania”, i cili kishte si qëllim promovimin e përparësive që ju jepte investitorëve të huaj Shqipëria. Kryeministri Berisha theksoi se investimi në Shqipëri ishte një histori suksesi, nisur nga fakti se sistemi fiskal ishte mbështetës dhe sistemi bankar i sigurt. “Unë ju ftoj të shikoni dhe konsideroni, sepse është bindja ime e thellë që përpjekjet tuaja do të shpërblehen dhe do të jenë një histori e vërtetë suksesi. Unë ju ftoj të investoni në këtë vend, i cili është i vogël, por ka potencial shumë të madh”, i bëri thirrje Kryeministri Berisha investitorëve të shumtë të pranishëm në këtë forum. Sipas Berishës, potencialet më të mëdha që vendi ju ofron janë energjia, turizmi, prodhimi e minierat. Kreu i qeverisë theksoi se pozita gjeografike e vendit, burimet natyrore shumë të mëdha të Shqipërisë në fushën e energjisë, e bëjnë një nga vendet më të mira për të investuar në fushën e energjisë. Por gjithashtu si fushë prioritare, Kryeministri vlerësoi edhe atë të turizmit. “Tregu i turizmit në Shqipëri është më i qëndrueshmi në Europë. Vitin e kaluar, Shqipëria ishte vendi i parë në botë në rritjen e turizmit, me 35 për qind”, theksoi Kryeministri. Po kështu Berisha shprehu bindjen se informatizimi i shoqërisë dhe përqasja e modelit estonez të teknologjisë së avancuar, do të jetë një urë lidhëse për sa i përket marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.
#