Vrasja e deputetit Xhindi, banorët peticion Ina Ramës
TIRANE- Plot 7 muaj nga vrasja e ish- deputetit socialist Fatmir Xhindi, banorët e Roskovecit të qarkut të Fierit kërkojnë zbardhjen e krimit të ndodhur më 2 maj 2009.Përfaqësues të banorëve të zonës të cilët për tre legjislatura zgjodhën Xhindin t’i përfaqësonte në Kuvend kanë hartuar një peticion ku kërkojnë angazhimin më të madh të strukturave të prokurorisë për zbardhjen e krimit të ndodhur natën e 2 majit pranë banesës së tij në Roskovec.Mysehak Haxhia, banor i zonës dorëzoi sot në Prokurorinë e Përgjithshme peticionin e firmosur nga 1500 bashkëfshatarë të ish-deputetit socialist. “U bënë kaq muaj që kjo ngjarje nuk është zbardhur. Me këtë peticion kërkojmë nga prokuroria të angazhojë më tepër strukturat e saj për zbardhjen e vrasjes”- deklaroi Mysehak Haxhia pas dorëzimit të peticionit në organin qëndror të akuzës .Në peticion banorët theksojnë se institucionet e drejtesisë janë të vonuara në zbardhjen e kësaj cështjeje dhe kërkojnë reagimin e tyre.“Duke dëgjuar ish ministrin e Rendit që deklaroi pak ditë më parë se zbardhja e vrasjes së Xhindit është cështje ditësh , pritëm se mos zbardhet ndonjë e vërtetë, por realisht jo. Ndaj kemi ardhur këtu me këtë peticion tia dorëzojmë prokurores së përgjithshme.”- vazhdon më tej Mysehak Haxhia i cili shpreh dhe indinjatën dhe sensibilitetin e komunitetit për moszbardhjen e vrasjes.Vrasja e Fatmir Xhindit, ish- deputet i PS-së u vra natën e 2 majit teksa po hynte në banesën e tij me makinë. Policia ende nuk ka identifikuar autorët e kësaj vrasjeje. Fatmir Xhindi, është deputeti i dytë i vrarë, pas vrasjes së Azem Hajdarit në shtator 1998.(s.g/BalkanWeb)