Vrasja e fqinjit, sherri nisi për një rrugicë mes shtëpive
Familjet u përpoqën ta shuajnë konfliktin nëpërmjet “pleqnive”, por nuk funksionoi. Sali Leka pranon krimin pas prangosjes
Policia arrin të vërë në pranga autorin 65-vjeçar të ngjarjes së rëndë, por nuk ka gjetur dot armën e krimit
Flutura Tota
KUKëS - Konflikti që çoi në vrasjen e një 33-vjeçari, baba i tre fëmijëve, në një fshat të komunës Surroj të Rrethit të Kukësit, ka nisur shumë kohë më parë për një rrugicë mes shtëpive të viktimës dhe vrasësit. Pa kaluar 24 orë nga momenti i vrasjes, hetuesit kanë mundur të zbardhin motivin kryesor të kësaj ngjarjeje të rëndë. Prokurori i rrethit, Xhevahir Lita, ka deklaruar se deri tani, sipas dëshmive të siguruara, është vërtetuar se mes dy shtetasve dhe familjeve të tyre ka pasur grindje të kahershme për një rrugë kalimi. “Nga familjarët e të ndjerit dhe të vrasësit 65-vjeçar kemi mësuar se mes të dyja palëve ka ekzistuar më parë konflikti, por ata janë munduar që ta shuajnë zjarrin nëpërmjet “pleqnive”, të cilat kësaj here nuk kanë qenë të suksesshme. Vrasësi vetë e ka pranuar krimin, por s’ka treguar gjë rreth vendndodhjes së armës, të cilën e ka fshehur diku në pyll”, shprehet kështu kryeprokurori i Kukësit, Lita.
Megjithëse ka arritur të vërë në pranga autorin e krimit, policia ende nuk ka mundur të gjejë armën me të cilën është kryer vrasja. Policia po kërkon, por edhe pse autori është pyetur, ai nuk ka dhënë detaje rreth vendit ku fshehu armën menjëherë pas kryerjes së veprimit. Prokuroria ndërkohë thotë se ajo është një ndër provat kryesore të të gjithë procesit të hapur ndaj 65-vjeçarit vrasës. Ngjarja e rëndë, e cila tronditi gjatë së hënës një fshat të thellë të rrethit të Kukësit, ka përfunduar me një të vdekur dhe një tjetër nën pranga. Edhe pse vrasësi e ka pranuar krimin, policia ende nuk ka gjetur armën e krimit me të cilën dyshohet që ai të ketë kryer veprimin e rëndë, i cili i mori jetën bashkëfshatarit të tij. Sipas burimeve zyrtare të dikasterit blu në Kukës, edhe pse e gjithë zona “është krehur” nga forcat e policisë, ende nuk është gjetur arma e kësaj vrasjeje, e cila përbën dhe provën më të rëndësishme të procesit gjyqësor të hapur në ngarkim të 65-vjeçarit Sali Leka. Sipas burimeve thuhet se armën ai e ka hedhur diku në shkurret e pyllit ku fshihej, por nuk dihet se ku, pasi vrasësi nuk ka treguar asnjë të dhënë se ku mund të lokalizohet ajo. “Kemi pyetur disa herë Saliun për vendndodhjen e armës, por ai s’na ka treguar gjë. Thotë se e ka hedhur diku, por nuk tregon vendin e saktë. Ajo është një provë shumë e rëndësishme, por shpresojmë ta gjejmë”, shprehet kështu njëri nga specialistët e grupit hetimor të ngritur për këtë ngjarje.
Ndërkohë, grupi hetimor pas ekspertizës ka konstatuar se në trupin e 33-vjeçarit Keçi ka pasur tre plumba, njëri prej të cilëve në kokë dhe dy të tjerët në pjesën e qafës. Po sipas tij, në vendngjarje janë gjetur 6 gëzhoja, të cilat vrasësi i ka hedhur në drejtim të trupit të Keçit. Veç kësaj, në momentin e vrasjes autori i krimit ka pasur me vete edhe një çifte, por atë nuk e ka përdorur fare. Tashmë Sali Leka akuzohet nga drejtësia për veprat penale të armëmbajtjes pa leje të parashikuar në nenin 278 të Kodit Penal, si dhe atë të vrasjes në nenin 76 të po këtij kodi. Leka vrau bashkëfshatarin e tij gjatë së hënës, pas një debati mes tyre me një pistoletë TT dhe menjëherë pas kësaj u largua nga vendi i krimit, i cili ishte në shtëpinë e 33-vjeçarit. Policia e arrestoi atë rreth tri orë pas kryerjes së veprimit, kur ai tentoi të largohej nga fshati 12 km larg tij. Ai ishte fshehur në një nga bunkerët e vendosur në këtë zonë.
Ceremonia mortore
Gjatë paradites së të martës është zhvilluar edhe ceremonia mortore e 33-vjeçarit Dëfrim Keçi, të afërmit e të cilit nuk kanë dhënë asnjë deklaratë sa i takon vrasësit të të afërmit të tyre dhe përplasjes që kanë pasur me të që përpara ngjarjes së dy ditëve më parë. Viktima ka lënë pas tre fëmijët e tij, të cilët tashmë do jetojnë pa babanë e tyre, që për t’i ushqyer punonte pranë tregut të fruta-perimeve të qytetit të Kukësit.
Arsenal armësh
LEZHë – “Nata me hënë” rezulton fatale për një grup trafikantësh të armëve dhe lëndëve plasëse. Një arsenal i vërtetë armësh zjarri dhe armë gjahu, shoqëruar edhe me disa mina dhe lëndë plasëse është mundur të sekuestrohet nga forcat e policisë së Lezhës gjatë operacionit me emrin e koduar “Nata me hënë”.
Lajmi është bërë i ditur nga burimet zyrtare të policisë së Lezhës, të cilat kanë saktësuar se janë vënë në pranga tre personat, të cilët u kapën në flagrancë duke transportuar të tilla mjete të rrezikshme. Në prangat e policisë kanë rënë Monel e Leadron Lamaj, përkatësisht 35 dhe 20 vjeç, që të dy banues në Laç të Kurbinit dhe Sokol Buseta, 40 vjeç, banues në Shkodër. Leandro lamaj ka qenë edhe më parë i dënuar për armëmbajtje pa leje.
Operacioni u krye nga Drejtoria e Policisë së Lezhës në aksin Mamurras-Lezhë, në një mjet fuoristradë, me të cilën po transportoheshin lëndët plasëse. Ndër të tjera, në automjetin e ndaluar, policia bën me dijeni se ka sekuestruar 4 mina me telekomandë dhe 15 detonatorë elektrikë. Gjatë kontrollit në banesat e të arrestuarve të lartpërmendur u gjetën një minë me telekomandë, një armë zjarri automatik, me 30 fishekë, një armë gjahu me 15 fishekë, një detonator elektrik me përcjellës, 600 fishekë luftarakë të llojeve të ndryshme. Policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe një numër të konsiderueshëm bizhuterish: 71 unaza, 29 byzylykë, 24 varëse e medaljone, 96 vathë, 54 orë dore të markave të ndryshme. U bllokuan edhe 11 telefona celularë të markave të ndryshme, 3800 euro, si dhe 600.000 lekë.
Policia tha se ndaj të arrestuarve do të ngrihen akuzat e “trafikimit të lëndëve plasëse, armëve dhe municioneve luftarake”, “vjedhjes” dhe “armëmbajtjes pa leje”, ndërkohë që hetimet për të zbuluar nëse ka pasur bashkëpunëtorë të tjerë më këtë grup po vazhdojnë.
Kakavijë
Doganierët
grekë në grevë,
“mbyllet” kufiri
KAKAVIJë - Doganierët grekë të Kakavijës, Sopikut dhe çarçovës ditën e mërkurë do të rinisin sërish grevën e ndërprerë përpara disa ditësh. Sipas burimeve zyrtare në Policinë Kufitare në Gjirokastër, mbrëmjen e së martës ata janë njoftuar nga homologët grekë për bllokim të punës në kufi gjatë ditës së mërkurë. “Doganierët grekë do të rihyjnë në grevë në orën 06:00 të mëngjesit të së mërkurës, për të vazhduar 24 orë rresht deri në orën 06:00 të ditës së enjte”, thonë burimet në Policinë Kufitare në Gjirokastër. Në ndryshim nga greva e përpara disa ditëve, kur lejohej kalimi i këmbësorëve në të dyja anët e kufirit, gjatë 24 orëve të ardhshme doganierët grekë nuk do të lejojnë lëvizjen e automjeteve apo këmbësorëve, duke bllokuar kështu totalisht lëvizjet në kufi në të tri pikat doganore mes Shqipërisë dhe Greqisë që ndodhen në Qarkun e Gjirokastrës.
B. Shehu
Vlorë
PS: Policia të gjejë atentatorin e Hoxhës
VLORë - Ngjarja e katër ditëve më parë, ku një anëtar i Këshillit Bashkiak të Vlorës mbeti i plagosur pas një atentati me eksploziv, është risjellë në vëmendjen e publikun nga Partia Socialiste e këtij qyteti. Kryetari i kësaj partie për Vlorën, Eltar Deda, ka dalë dje në një konferencë për shtyp, ku ka kërkuar nga policia dhe prokuroria të bëjnë më shumë për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë. “Qytetari Morand Hoxha, njeriu i familjes së tij, njeriu i cili kontributin e tij qytetar e ka vënë në shërbim të PS-së, me aktivitetin në Këshillin Bashkiak, është shembull i rrezikut të madh që na kanoset të gjithëve”, ka deklaruar Deda, i cili gjithsesi ka sqaruar se forca politike që ai përfaqëson nuk kërkon të përfitojë politikisht nga kjo ngjarje, por vetëm të japë alarmin për krizën ku është zhytur vendi dhe që pasqyrohet edhe në situatën e rendit dhe sigurisë publike. “Nuk është e rastësishme që goditet një këshilltar nëpërmjet një akti shumë të rëndë barbar në kushtet, kur Këshilli Bashkiak i Vlorës, së bashku edhe me disa këshilla të tjerë në vendin tonë, mbahen peng nga një dyshe mazhorance, Berisha-Meta, të cilët krizën e tyre po e përcjellin te qytetarët, duke i bllokuar këshillat bashkiakë, dhe duke mos i lënë që taksat e paguara nga ata t’u kthehen me investime”, ka sulmuar drejtuesit e mazhorancës qeverisëse kreu i socialistëve të Vlorës. Ai e ka mbyllur prononcimin e tij, duke iu kërkuar organeve të policisë e prokurorisë që të gjejnë autorët e atentatit, pasi ky është një tregues i qartë se jeta e qytetarëve vlonjatë, jeta e bizneseve vlonjate dhe funksionimi i institucioneve të Vlorës është në rrezik.