Krimet e Rënda, peng të avokatëve
Kreu i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Dritan Hallunaj, tha se mungesa e avokatëve dhe përgjigjet me vonesë të letërporosive janë disa nga arsyet që ndikojnë në zvarritjen e proceseve gjyqësore
Leonard Bakillari
TIRANë - Analiza e punës së Gjykatës së Krimeve të Rënda ka nisur me një minutë heshtje në shenjë nderimi për kolegun Xhelal Elezi, i cili u nda nga jetë para kohe. Në një nga sallat e kësaj gjykate, ku ishin të pranishëm zëvendëskryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Olsi çela dhe drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, kreu i gjykatës bëri prezantimin e punës së institucionit që ai drejton për vitin që lamë pas. Duke renditur punën e kësaj gjykate, Dritan Hallunaj evidentoi edhe disa mangësi, ku më kryesorja ishte zvarritja e proceseve gjyqësore si pasojë e mungesës së avokatëve, një fenomen ky tashmë i njohur thuajse nga të gjithë institucionet e drejtësisë. Sipas Hallunajt, një nga shkaqet që ka ndikuar drejtpërdrejt në zgjatjen e kohën e gjykimit është zvarritja e proceseve nga mungesa e avokatëve, edhe pse gjyqtarët janë të përkushtuar të përfundojnë proceset gjyqësore brenda një afati të arsyesh. “Një ndër shkaqet e zvarritjeve në gjykim mbetet mungesa e avokateve mbrojtës të të pandehurve dhe ndryshimet e herëpashershme të tyre”, - tha Hallunaj. Sipas tij, për një punë më efektive të kësaj gjykate mund të kryhen disa përmirësime, duke filluar nga ligji procedural penal.
Mungesa e avokatëve
Duke folur për mungesën e avokatëve, që është bërë objekt diskutimi edhe në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda tha se nga ana e tyre u janë drejtuar relacionet përkatëse për shkaqet e shtyrjes së seancave Dhomës Kombëtare të Avokatisë,dhe për dijeni dhe Ministrisë së Drejtësisë, dhe kohët e fundit ka pasur një ndryshim pozitiv për zgjidhjen e kësaj çështje. Sipas Hallunajt, një tjetër çështje që ka ndikuar drejtpërdrejt në zgjatjen e proceseve gjyqësore tej afateve optimale janë edhe ekzekutimi i letërporosive me autoritetet e huaja. “Nuk janë të pakta proceset gjyqësore, përfundimi i të cilave varet nga përgjigjet e letërporosive, të cilave përgjithësisht u është dhënë rrugë në kohën e
duhur nga Ministria e Drejtësisë, por përgjigjet nga pala e kërkuar vijojnë të kthehen me shumë vonesë”, - tha Hallunaj. Mungesa e adresave të sakta të dëshmitarëve është një tjetër arsye, sipas kreut të Gjykatës së Krimeve të Rënda, përse disa procese gjyqësore janë shtyrë më shumë nga sa është parashikuar.
Trafiqet
Duke pasur parasysh natyrën e veprimtarisë së Gjykatës së Krimeve të Rënda, një nga veprat penale më të shpeshta që gjykohen në këtë institucion janë trafiqet e paligjshme. Duke iu referuar analizës së djeshme, rezulton se një nga veprat penale që ka pësuar rritje gjatë vitit të shkuar është trafiku i narkotikëve, ndërsa vihet re ulje e çështjeve në gjykim për trafik klandestinësh dhe trafik femrash për qëllime prostitucioni. Në këtë çështje Hallunaj u ndal më gjatë, duke analizuar përse një pjesë e vendimeve të kësaj gjykate për veprën penale të trafikut të femrave për qëllime prostitucioni janë prishur nga gjykatat më të larta. Sipas tij, ka paqartësi procedurale në neni 158 të Kodit të Procedurës Penale, i cili përcakton “Përjashtimet nga detyrimi për të dëshmuar”. Një vendim i Gjykatës së Lartë ka ndikuar në shtimin e fluksit të pretendimeve edhe në çështje të tjera, sidomos në ato që kanë të bëjnë me veprën penale të “trafikimit të femrave për prostitucion”. Një nga elementet që ka vazhduar të qëndrojë konstant në shifra, janë edhe vendimet e gjykatës për përgjimin e të dyshuarve. Për vitin e shkuar, Gjykata e Krimeve të Rënda ka lejuar përgjimin e të paktën 500 personave, të cilët dyshohet se janë përfshirë në veprimtari kriminale.
Spahiu: Ndryshimi i legjislacionit, sfidë
Nevoja për ndryshime në kodet bazë të legjislacionit shqiptar është parashtruar gjatë analizës së punës së Gjykatës së Krimeve të Rënda edhe nga nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu. “Pushteti gjyqësor dhe Gjykata e Krimeve të Rënda në këto momente përballen me sfida, të cilat duhet të reflektohen dhe kërkojnë domosdoshmërish ndryshime në legjislacionin shqiptar, ndryshime që duhet patjetër të reflektohen në kodet bazë, dhe padyshim në ligjin material dhe ligjin procedural penal”, deklaroi Spahiu gjatë fjalës së tij.