E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e gjyqtarit, mblidhen qindra telefonata në minutat e shpërthimit

29/09/2011  Prokuroria mbledh thirrjet nga ora 09.00 deri në 09.05

TIRANË-Administrohen në dosje përgjigjet e kompanive celulare lidhur me lokalizimin e numrave nëpërmjet valëve të antenave telefonike në Vlorë. Bëhet fjalë për qindra numra celulari që janë regjistruar rreth orës 09:05 nga antenat që kompanitë celulare kanë instaluar në Vlorë. Pikërisht në këtë orar humbi jetën si rezultat i një atentati mafioz gjyqtari i Vlorës Skerdilajd Konomi. Për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje, grupi hetimor prej disa ditësh po verifikon me imtësi, qindra numra që janë kryer rreth kufirit 09:00 deri në 09:05 të mëngjesit të ditës së premte. “Çdo numër po verifikohet me imtësi, si dhe identifikohet personi që e përdor dhe pozicioni nga është bërë thirrja telefonike”,- thanë burimet pranë grupit hetimor. Ende verifikimi në këtë drejtim është në fazën fillestare, por burimet shpresojnë të lokalizojnë numrin që ka aktivizuar telefonin bombë, me 500 gramë tritol që ishte vendosur nga autorët poshtë sedijes ku ishte ulur Skerdilajd Konomi. Momentalisht procesi hetimor mbetet në fazën e verifikimeve dhe se prej tre javësh dosja ndodhet në duart e Prokurorëve të Krimeve të Rënda dhe asnjë person nuk dyshohet si autor i kësaj ngjarje. Ndërkohë që janë duke u marrë në pyetje për këtë rast gjyqtarët e Vlorës, si dhe personat që Konomi ka pasur konflikte gjyqësore me pronat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›