E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e kryekomisarit, arrestohet i dyshuari kryesor

Arrestohet i dyshuari kryesor për vrasjen e kryekomisarit të Shijakut, Adem Tahiri.  Ilir Xhakja është vetëdorëzuar në orët e para të ditës së sotme në pamundësi për t`iu larguar policisë pasi kjo e fundit kishte rrethuar zonën ku mendohej se fshihej. Gjithashtu policia ka bërë të mundur edhe sekuestrimin e armës së krimit.
 

Ngjarja

Shefi i komisariatit të Shijakut Adem Tahiri u ekzekutua pasditen e djeshme me 7 plumba. Ngjarja ka ndodhur në Sukth të Durrësit, ku gjatë një operacioni kontrolli për “armëmbajtje pa leje”, është goditur me armë zjarri automatik, kryekomisari Tahiri.  Policia identifikoi menjëhërë autorët, të cilët janë dy kushurinjtë Ilir dhe Arben Xhakja si dhe nipi i tyre Ledio Krasniqi, i cili i ka ndihmuar të largohen nga vendi i ngjarjes.

Ndërkohë nga hetimet paraprake policia zbardh edhe skemën e ngjarjes, ku mësohet se Shefi i komisariatit ka qenë i shoqëruar me punonjës të tjerë të policisë në një pikë kontrolli dhe gjatë kontrollit të një makine dyshohet se ka pasur një debat mes drejtuesit të automjetit dhe policisë.
 

Pikërisht dyshohet se ky debat ka sjellë edhe që një tjetër automjet, i cili ishte pas këtij të ndaluarit dhe nga dera e pasagjerit ka dalë një person i cili ka qëlluar në drejtim të policisë, ku ka gjetur vdekjen shefi i Komisariatit të Shijakut, Adem Tahiri.

Menjëhërë pas kësaj ngjarje dy automjetet që ndodheshin në vendin e ngjarjes janë larguar menjëherë, ndërsa policia ka nisur hetimet. Madje këto hetime paraprake i konfirmon edhe deshmitarja e ngjarjes, e moshuara Lene Ndoja, e cila është plagosur nga plumbat që i janë drejtuar Kryekomisarit.

Pas ngjarjes së rëndë është ngritur në këmbë e gjithë Policia e Shtetit dhe janë dislokuar në Sukth. Forcat speciale RENEA kanë mbërritur menjëherë dhe kanë blinduar jo vetëm Durrësin, por edhe Sukthin, Shijakun dhe Fushë Krujën. Në pamundësi për t`iu larguar policisë pasi kjo e fundit kishte rrethuar zonën ku fshihej, një prej të dyshuarve kryesorë të vrasjes së kryekomisarit të policisë së Shijakut, Ilir Xhakja është vetëdorëzuar në polici. Sipas policisë Xhakja ishte i dënuar me 21 vjet burg, por ishte i lirë.

Noka i shpreh ngushëllimet familjes së  kryepolicit të vrarë Adem Tahiraj

Mbrëmjen e djeshme, familjen Tahiraj e vizitoi edhe ministri i brendshëm Flamur Noka. Ai i shprehu ngushëllimet familjes së kryepolicit të Shijakut Adem Tahiri në emër të qeverisë dhe institucionit që ai drejton.

Rënia në detyrë e Ademit është një humbje e madhe për bashkëshorten, familjen dhe të afërmit.  Policia e shteti humbi një kuadër të çmuar dhe autorët do të vihen përpara drejtësisë" u shpreh Noka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›