E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e pesëfishtë, dyshohet se autoritetet maqedonase po zhvendosin dukuritë kriminale në rrafshin fetar

02-05-2012 / Gazeta 55

-- E moshuara 60 vjeçare me pension invalidi, që akuzohet për..., “terrorizëm”!


-- Të arrestuarit nga policia, për vrasjen e pesëfishtë në fshatin Smillkovcë, janë të profesioneve të rëndomta si bujq, zdrukthëtarë, berber, shofer kamioni, amvise, shitës të librave..., dhe të mendosh që akuzat e Jankullovkës janë ato për “terrorizëm”!


Nga vrasës profesionistë na dolën bujq, zdrukthëtarë, berber, shofer kamioni, amvise dhe shitës të librave, profesionet e të arrestuarve të ditës së djeshme, që policia i quajti “terroristë” që kanë luftuar bashkë me talibanët në Afganistan dhe Pakistan kundër trupave të NATO-s. Kësisoj, Qani Aziri nga Shutka, 64 vjeç, është pensionist kurse profesioni i tij i mëparshëm ka qenë zdrukthëtar. Edhe vëllai i tij i arrestuar Fejzi Aziri (50) është bujk që merret me punimin e tokës dhe ruajtjen e bagëtisë ndërsa Haki Aziri (32) është shofer kamioni. 60-vjeçarja Feride Bilalli, amvise nga fshati Hotël i Likovës, ishte ne mesin e të arrestuarve por në orët e hershme të mëngjesit është lënë e lirë. Ajo jeton e vetme në shtëpi në fshatin e saj pasi 3 djemtë e saj me vite punojnë në shtetet perëndimore. Në mesin e të arrestuarve të dyshuar për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovcë, është edhe 20-vjeçarja Surraj Hasipi nga fshati Hasanbeg i Shkupit. Ajo së bashku me dy vëllezërit, Fati dhe Fuat Hasipi, janë arrestuar mëngjesin e së martës dhe akuzohen se kanë lidhje me vrasjen në Smillkovcë. Surraj është 20 vjeçe dhe është shtëpiake, ndërsa Fati Hasipi, 24-vjeçar, punon si tregtar në tregun me shumicë të Shkupit. Vëllai më i madh, Fuat Hasipi, punon si mjeshtër gipsi dhe deri para pak muajsh ka qenë emigrant në një prej shteteve europiane. Mervan Memeti, shitës i librave, 30 vjeçar. Në mesin e të arrestuarve është edhe 23 vjeçari Besim Hajdari, me profesion berber.


E moshuara 60 vjeçare me pension invalidi, që akuzohet për..., “terrorizëm”!


Feride Bilalli është një e moshuar 60-vjeçare që është vënë në prangat e policisë së Gordana Jankullovskës, për terrorizëm dhe përfshirje në vrasjen e pesëfishtë në fshatin Smillkovcë. Sabri Zenuni, dhëndri i 60-vjeçares Feride Bilalli, e arrestuar të martën në mëngjes, ka mohuar akuzat e ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska se në shtëpinë e saj (Feride Bilalli), është gjetur arsenali më i madh i armëve. “Vjehrra ime është mbi 60 vjeçe dhe është me shëndet të rënduar. Askush që është normal dhe me logjikë të shëndoshë nuk e beson se një plakë ruan armatim, e sidomos në shtëpi ku edhe jeton. Është për të ardhur keq se si na montohen rastet. Ajo jeton që 15 vite e vetme, pranon pension invalidi, ndërsa dy djem i ka në Zvicërr dhe një në Belgjikë. Fundja, në shtëpinë e saj asgjë nuk është gjetur, por dyshojmë se edhe në shtëpitë e dy djemve tjerë që janë të zbrazëta të ketë pasur armatim”, thotë për KOHA, Sabri Zenuni nga fshati Sllupçan. Ai e quan qesharake edhe aktakuzën “terrorizëm” që policia, akoma pa u dëshmuar fajësia e të arrestuarve, e deklaroi në opinion. “Paramendoni një plakë e sëmurë, duke luftuar në Afganistan dhe Pakistan. Nuk e besoj se edhe vet policia, e hiç më pak Jankullovska, e beson këtë variant”, ironizon Zenuni.


RDK: Ky shtet ka dështuar, krimi po zhvendoset në aspektin fetar


Rilindja Demokratike Kombëtare kërkon nga shteti juridik që rastin e vrasjes kriminale të pesë personave në Shkup, ta zbardhë deri në fund dhe para drejtësisë t’i nxjerr fajtorët e vërtetë dhe të njëjtit të marrin dënimin e merituar nga organet e drejtësisë. Aksioni i bastisjeve të dhjetëra shtëpive në Gazi Babë, Hasanbeg, Haraçinë dhe Hotël, si dhe arrestimi i 20 personave ndërmjet të cilëve edhe një plak dhe një plakë në moshë të shtyrë, të gjithë këta shqiptarë, nuk mund të kualifikohet si aksion i suksesshëm, aq më shumë të arsyetojë edhe vetë ermin e këtij aksioni - “Monstër”. Deklarata e ministres së brendshme, Gordana Jankullovska, se në shtëpitë e bastisura është gjetur një veturë, rreth dhjetë mijë euro, kompjuterë, telefona celularë dhe kartela telefoni, lë shumë për të dëshiruar se hetimet kanë qenë në drejtimin e duhur dhe se janë kapur aktorët e vërtetë. Video incizimet e prezantuara nga vet MPB demantojnë deklaratat e vet ministres, sepse këto video incizime dëshmojnë se te disa të akuzuar janë gjetur flamuj dhe emblema të ish UÇK-së dhe jo materiale propagandistike me përmbajtje radikale islamike. Tentativa që problemet nga rrafshi kriminal të zhvendosen në rrafshin fetar, jo vetëm që janë te papranueshme, por edhe shumë të rrezikshme për sigurinë në vend dhe rajon dhe mund të jenë shkak për një zinxhir të ri të dhunës ku do ta pësonin qytetarët e pafajshëm pavarësisht nga përkatësia etnike dhe fetare. Aksioni dhe deklaratat e MPB-së, lënë hapësirë të madhe që të dyshohet se e gjithë kjo që po ndodh pas vrasjes së pesëfishtë në Shkup, dëshirohet që të shfrytëzohet si një alibi para Samitit të NATO-s në Çikago, se kinse Maqedonia është shtet i cili lufton terrorizim islamik. Ajo që më së shumti duhet ta bëjë shteti juridik në këto momente, është që të jetë sa më transparent në gjithë procesin që është në vijim, të jep sa më shumë detaje për aksionin dhe dëshmitë eventuale për vrasësit. Nëse me të vërtetë policia e Maqedonisë ka për qëllim ta zbardh rastin, e jo vetëm ta mbyll rastin, tani kur mëton se i ka kapur aktorët e vërtetë, nuk ka përse të fshehë detajet me qëllim që siç din të arsyetohet “në favor të ecurisë së hetimeve, nuk mund të japim më shumë detaje”. Është me interes për të vërtetën, të shihet se si do ta arsyetojë Jankullovska dhe zëvendësi i saj Xhelal Bajrami faktin se në veturën ‘Opel’ e gjetur 10 kilometra larg vendngjarjes së krimit, paskan mundur të hyjnë 20 persona dhe të sqarojë si guxon të përdorë termin vrasës për persona për të cilët as që ka filluar të zhvillohet procesi gjyqësor. Me këtë veprim Jankullovksa vihet në rolin e polices, hetueses, prokurores dhe gjykatëses. Rilindja Demokratike Kombëtare është jetësisht e interesuar që të zbulohen aktorët e vërtetë për krimin e ndodhur në afërsi të Shkupit dhe ata të marrin dënimin ligjor, por njëkohësisht si subjekt politik është kundër marrjes në qafë të njerëzve të pafajshëm dhe krijimin e pretekstit për akuza të pabaza në rrafsh nacional dhe fetar, e që do të ishin hyrje në një spirale të dhunës dhe jo-stabilitetit të kontrolluar për motive të përfitimit konjuktural politike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›