E Shtunë, 31 Tetor 2026

Efektet e stinës, çmimet e fruta-perimeve, në rritje

Tregtarët thonë se rritje të çmimeve kanë pësuar frutat dhe perimet, që vijnë nga importi

TIRANË - Çmimet e mallrave të konsumit të përditshëm, që vijnë nga importi, vazhdojnë të pësojnë rritje nga dita në ditë. Nga një vëzhgim i kryer në disa tregje të shitjes me pakicë, vërehet një luhatje e konsiderueshme e çmimeve krahasuar me një javë më parë. Kështu, një sërë artikujsh si, domatja, patëllxhani, lulelakra, etj., këtë javë kanë pësuar një rritje me 10 deri në 35 lekë në krahasim me atë çka shiteshin një javë më parë.


Referuar edhe buletinit të Ministrisë së Bujqësisë, një kg domate, gjatë javës së kaluar, është shitur mesatarisht me 170 lekë, ndërsa dje, në disa tregje të shitjes me pakicë në Tiranë, shitej me 200 lekë. Po ashtu, një javë më parë, një kg lulelakër shitej mesatarisht me 225 lekë, ndërsa dje ajo varionte nga 230 në 255 lekë. Një rritje të konsiderueshme, ka pësuar edhe çmimi i specave, ku vetëm një javë më parë shiteshin me 210 lekë, ndërsa këtë javë me 230 lekë kg.


Në krahasim me perimet e tjera, çmimi i trangullit, në mos fare, ka pësuar një rritje të vogël në krahasim me atë çka shitej javët e kaluara. Ndryshe nga perimet, çmimet e frutave, gjatë kësaj jave, kanë qenë më të qëndrueshme në krahasim me javën paraardhëse. Kështu, një kg portokall, gjatë javës së dytë të marsit, në Tiranë, është shitur mesatarisht me 90 lekë, ndërsa në javën që sapo lamë pas, nuk i ka kaluar 100 lekët.

Në të njëjtët nivele ka qenë edhe mandarina, e cila duket se ka ngrirë në 145-150 lekë. Përjashtim nga ky rregull për frutat, përbën molla e cilësisë së parë, e cila nga 110 lekë që shitej në javën e dytë të marsit, këtë javë shitet mesatarisht me 130 lekë.

Referuar edhe shitësve me pakicë, rritja e çmimeve vërehet kryesisht në mallrat e importit, pasi produktet e vendit, nga dita në ditë, vijnë në ulje. Një shembull i tillë, është sallata jeshile, e cila në javën e parë të marsit shitej mesatarisht me 180 lekë, në javën e dytë me 165 lekë dhe tani me 150 lekë.


Në të njëjtën linjë ecën edhe spinaqi, hudhra, dhe qepa e njomë dhe, me kalimin e ditëve, pritet një ulje mëtejshme e tyre, si pasojë e shtimit të sasisë së mallit në treg.


Ligji i depozitave mbërrin në Kuvend


TIRANË - Projektligji për rritjen e pragut të sigurimit të depozitave bankare deri në 25 mijë euro, ka mbërritur për miratim në Kuvend. Sipas projektligjit, Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) kompenson depozitat e siguruara, kur autoriteti mbikëqyrës ndërhyn në bankën e siguruar, ose kur kjo e fundit likuidohet vullnetarisht. Në ligj thuhet se "Agjencia kompenson depozitën e siguruar në masën 100 për qind, por jo më shumë se 25 mijë euro".

Ndërkohë, deri tani, shuma e kompensimit është vetëm 700 mijë lekë. Një nen tjetër i rëndësishëm i tij, është ai i mbi Autoritetin Mbikëqyrës që do të ketë detyra më të rrepta ndaj bankave, duke marrë dhe kompetenca për të ndërhyrë, në rast se vërehen shkelje apo probleme.

"Autoriteti, gjithashtu, mundet të urdhërojë bankën e siguruar për pushimin e menjëhershëm të veprimeve, të konsideruara si kundërvajtje dhe marrjen e masave korrigjuese",- citohet në të. Ligji i ri do të detyrojë bankën e siguruar t'i paguajë agjencisë fitimin e munguar, për mospagimin në kohë të kontributit të primit.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›