Qëllohet tri herë me thikë, kryekomunari i Pultit vret agresorin
Viktima dhe i plagosuri ishin të ulur në tavolinë në një lokal, ndërsa kanë nisur të konfliktohen me njëri-tjetrin
Kryetari i komunës së Pultit në Shkodër, Martin Cubi, ka vrarë me pistoletë një 50-vjeçar, pasi është qëlluar më parë nga viktima tri herë me thikë në trup. Ngjarja, ku humbi jetën një person dhe u plagos rëndë një tjetër, ndodhi në orët e mbrëmjes së ditës së djeshme, në oborrin e spitalit të qytetit. Sipas burimeve nga policia, si pasojë e plagëve të marra gjeti vdekjen Dodë Hili. Ndërkohë që vetë Cubi ndodhet në gjendje të rëndë për jetën i shtruar në spital. Mendohet se sherri ka lindur për motive banale. Viktima dhe i plagosuri ishin të ulur në një tavolinë në një lokal, ndërsa kanë nisur të sulmojnë njëri-tjetrin. Në vendngjarje ka shkuar dhe policia, e cila ka nisur hetimet në lidhje me këtë ngjarje të ndodhur.
Ngjarja
Rreth orës 20:30 të ditës së djeshme kryetari i komunës së Pultit, Martin Cubi, dhe Dodë Hili, pasi janë takuar, janë ulur në një lokal në lagjen “Skanderbeg” të qytetit. Ata zunë një tavolinë në barin që ndodhej në oborrin e spitalit të Shkodrës dhe nisën që të konsumonin pije alkoolike. Dëshmitarët tregojnë se në një moment, midis tyre filloi një konflikt. Më pas Hili u çua dhe nxori një thikë që e mbante me vete. Me të e goditi tri herë kryekomunarin, duke i shkaktuar atij plagë serioze në trup, megjithatë Cubi arriti që ti largohej agresorit të tij dhe më pas nxori pistoletën që e mbante me vete. Sipas dëshmitarëve, ai e drejtoi armën ndaj Hilit, duke e qëlluar atë në kokë. Si pasojë e plagës së shkaktuar nga plumbi, ky i fundit gjeti vdekjen e menjëhershme. Ndërkohë që edhe Cubi i mbuluar nga gjaku ishte në një gjendje të rëndë shëndetësore. Atij iu dha ndihma e menjëhershme, duke e dërguar në spital dhe duke iu nënshtruar mjekimit. Megjithatë, ai kishte plagë të thella të marra në trup, të cilat i kishin shkaktuar atij humbjen e një sasie të madhe gjaku dhe sipas mjekëve, gjendja e tij mbetet e rënduar.
Policia
Pas marrjes së informacionit në vendngjarje shkoi edhe policia, e cila ngriti një grup pune për të hetuar shkaqet e kësaj ngjarjeje. U krye këqyrja e vendit të ngjarjes, si dhe u sekuestruan të dyja armët e përdorura në këtë konflikt, një thikë dhe një pistoletë, Sipas burimeve, mendohet se sherri ka lindur pas një konflikti të çastit midis viktimës dhe të plagosurit. U morën në pyetje dëshmitarët, ndërkohë që po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.