Vrasja e policëve, rinis operacioni për vrasësin

Policia e shtetit ka nisur në orët e para të mëngjesit një operacion intensiv për kapjen e 34 vjeçarit Afrim Hasani, vrasësit të dy policëve në qytetin e Kukësit. Sipas burimeve nga policia është gjetur e braktisur makina e Hasanit së bashku me disa prova të krimit. Ngjarja ka ndodhur në orën 22:00 së natës së kaluar. Dy policët shtetasit Shkëlzen Dobrusha dhe Ramadan Hila kanë hyrë në një lokal, jo më shumë se 30 metra larg postës së policisë. Pas disa minutash në lokal ka hyrë i armatosur shtetasi Afrim Hasani, rreth 34 vjec, dhe ky banor i këtij fshati, i cili pa asnjë paralajmërim ka qëlluar ndaj dy policive, nën vështrimin e dëshmitarëve që ndodheshin në lokal duke i lënë të vrarë në vend. Pas kësaj, pa thënë asnjë fjalë duke përfituar edhe nga errësira e natës, ai është larguar menjëherë në drejtim të paditur duke i lënë të shtangur personat e tjerë që ndodheshin në lokal.Forcat e policisë së bashku me forcat të RENEA-s si dhe krerët më të lartë të policisë së shtetit po punojnë për kapjen e autorit të vrasjes. Postblloqe të shumta të policisë janë ngritur jo vetëm përgjatë aksit rrugor Kukës - Shëmri - Qafë Mali, por edhe në aksin Fierzë - Qafë - Mali e në zona të tjera të rrethit, ku dyshohet se mund të lëvizë Hasani.