E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja në Tiranë, shpërblim për informatorët e autorit

“Strukturat e Hetimit të Krimit të Policisë së Tiranës, kanë vendosur shumën e parave prej 500.000 lekësh shpërblim, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit të dyshuar të kësaj ngjarje, Bashkim Qefalia, i cili tashmë është identifikuar. Në çdo rast do të ruhet anonimati duke telefonuar në numrat 069 41 11 021 si dhe në numrin telefonik pa pagesë 129”, thekson policia në komunikatën e saj.

Ngjarja e rëndë ndodhi dje në orën 13.30, në Rrugën e Durrësit, në afërsi të Doganës së Tiranës, ku është qëlluar me armë zjarri duke gjetur vdekjen e menjëhershme shtetasi Artan Allushi, 25 vjeç si dhe janë plagosur shtetasit Kujtim dhe Nertil Allushi, respektivisht 50 dhe 22 vjeç.

Menjëherë në vendin e ngjarjes shkoi grupi hetimor, nga ku kreu veprimet e para hetimore duke administruar provat materiale. Në sajë të një pune operative të realizuar brenda një kohe tepër të shpejtë, u arrit të identifikohet autori i kësaj ngjarje, i cili dyshohet të jetë shtetasi Bashkim Jusuf Qefalia, 38 vjeç, lindur dhe banues në Babrru Tiranë. Paraprakisht dyshohet se viktima dhe dy shtetasit e plagosur, kanë debatuar fillimisht me autorin ku më pas janë konfliktuar me këtë të fundit, për motive të dobta.

 Autori i dyshuar Bashkim Qefalia, pas kësaj grindje ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasve Artan, Kujtim dhe Nertil Allushi, ku për pasojë dyshohet se është dëmtuar edhe vetë. Shtetasit e plagosur u dërguan menjëherë në spitalin Ushtarak Tiranë, ku 22 vjeçari Nertil Allushi ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore ndërsa shtetasi Kujtim Allushi aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›