E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në Mamurras, zbardhen emrat e autorëve

Policia e Lezhës ka zbardhur emrat e autorëve të vrasjes së dy të rinjve në Mamurras. Sipas policisë autorët e vrasjes së dy të rinjve janë dy kushurinjtë Diamantin dhe Bledar Preçi.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së djelës kur dy të rinj janë qëlluar për vdekje pranë qytetit të Mamurrasit. Viktima të sulmit me armë mbetën Ersid Rama, 23 vjeç dhe Albert Seiti 27 vjeç.
Për pasojë të sulmit ka humbur menjëherë jetën 23-vjeçari Rama, ndërsa Albert Seiti, ndërroi jetë mëngjesin e së hënës në spitalin ushtarak në Tiranë.

Dy të rinjtë u sulmuan me armë teksa udhëtonin me një autoveturë me targa italiane në drejtim të qytetit. Ishin kalimtarë të rastësishëm ata që gjetën dy të rinjtë e sulmuar me breshëri plumbash. Pas marrjes së njoftimeve në vendin e ngjarjes mbërritën forca të policisë së Lezhës që nisën hetimet për vrasjen.

Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes, ekspertët konstatuan se 23-vjeçari Ersit Rama kishte mbetur i vdekur në makinë ndërsa bashkëudhëtari i tij kishte marrë plagë të rënda.Policia shoqëroi për në spital 27-vjeçarin Seiti, por ky i fundit nuk u rezistoi plagëve të armës së zjarrit.

Ndërkaq, ekspertët kanë gjetur një automatik në makinën e viktimave dhe një pushkë gjysmë automatike afër mjetit të tyre. Mbi këto prova, ekspertët e policisë dyshojnë se dy të rinjtë e sulmuar u janë përgjigjur atentatorëve me armë zjarri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›