E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau 2 gjobëvënës, ekstradohet pas 10 vjetësh

Ngjarja për të cilën akuzohen tropojani daton në vitin 1999. Pronari i zdrukthëtarisë në Kamëz vrau dy gjobëvënës dhe plagosi një të tretë. Me pas ai u largua me skaf nga Vlora drejt Italise 

TIRANE - Ekstradohet nga Italia, pronari i zdrukthëtarisë në Kamëz, i cili 10 vjet më parë vrau dy gjobëvënës dhe plagosi një të tretë. Kol Bushgjoka, 46 vjeç u dënua disa muaj më vonë në mungesë, me 25 vjet burg për vrasje të dyfishtë me dashje dhe një vrasje e mbetur në tentativë. Në fakt, ngjarja për të cilën akuzohen tropojani daton në vitin 1999. Dy persona, të ndaluar më parë për grabitje, Agim Xhameta dhe Artan Hoxha, sipas deklarimeve të policisë në atë kohë, i kishin vendosur një gjobë të majme Bushgjokës. Ky i fundit ishte pronar i zdrukthëtarisë në Kamëz, e cila ndodhet në krahun e djathtë, pranë rrugës që të çon në Laknas. Ditën që autorët kishin shkuar për të marrë paratë, Bushgjoka i ka pritur i armatosur. Bushgjoka ka hapur zjarr ndaj tyre, duke lënë të vrarë Agim Xahmetën dhe Artan Hoxhën. Breshëritë janë zbrazur dhe në drejtim të Spartak Hoxhës, i cili duket se ka qenë me më shumë fat se dy të parët dhe ka shpëtuar. Natën e krimit, Bushgjoka, për t'i shpëtuar arrestimit, por edhe hakmarrjes për vrasjen e dyfishtë, bashkë me gruan dhe dy fëmijët mësohet se është larguar për në Itali. Ikja është realizuar me skaf nga bregdeti i Vlorës. Në fakt, dy viktimat njiheshin si kontingjent nga policia. Ata ishin ndaluar në vitin 1993, me akuzën e grabitjes së një dibrani në Kamëz, i cili vinte nga Greqia. Ndonëse kishte pasur një motiv të fortë për ngjarjen, organizimi dhe paramendimi i saj do i kushtonte shtrenjtë Bushgjokës. Ai është gjykuar dhe dënuar në mungesë me plot 25 vjet burg. Bushgjoka ka mundur t'i shmanget Drejtësisë shqiptare për gati 10 vjet, kur ai u arrestua në Itali për qëllime ekstradimi. Bushgjoka është ekstraduar të mërkurën. I shoqëruar nga oficerët e Interpol Tiranës, ai i është dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, në aeroportin "Nënë Tereza", në Rinas.

(d.bGSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›