Vrau me armën e shërbimit, pendohet për krimin efektivi i FNSH-së
Kastriot Stojani: E vrava në gjaknxehtësi e sipër. Më parë u zumë, sepse filloi të thyente makinat e lojës
35-vjeçari, i dypunësuar si truprojë në kazino
Vret me armën e shërbimit, shpreh pendesë para hetuesve të çështjes. Sipas efektivit të FNSH-së, ngjarja ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër, çka e detyroi atë të qëllonte me armën e shërbimit ish-kolegun e tij të punës, por jo të punës gjatë orëve të natës, por atë me të cilën punonte gjatë 8-orarëshit si efektiv special. Fillimisht kanë shkëmbyer sharje me njëri-tjetrin, të cilat më pas degjeneruan në nxjerrje pistolete. Ajo që e bën edhe më të rëndë këtë ngjarje është vrasja e Litës me pistoletën e shërbimit, por jo në atë detyrë për të cilën e mbante Stojani, por gjatë kryerjes së punës së dytë si truprojë. Duke treguar armën e shërbimit tip pistolete me të cilën e kishte qëlluar, 35-vjeçari ka përjashtuar nga kjo vrasje dy shokët e tij, po ashtu edhe ata policë të forcave speciale. Këta dy të fundit mësohet të kenë qenë dëshmitarë, por gjatë marrjes në pyetje kanë këmbëngulur ta mbrojnë shokun e tyre, duke mos treguar kush qëlloi dhe rrethanat në të cilat ndodhi ngjarja. Gjatë marrjes në pyetje, 35-vjeçari ka treguar se ai ishte i punësuar për të ruajtur qetësinë në kazino dhe viktima pasi kishte luajtur dhe kishte humbur në makinat elektronike, ka filluar t'i thyejë ato. Pas këtyre veprimeve, autori ka debatuar dhe ka tentuar ta nxjerrë jashtë ambienteve të kazinosë, por grindja mes tyre nuk është lënë me kaq. Në grindje e sipër, në dalje të lokalit të lojërave të fatit, në pallatin ngjitur me Arkivën e Shtetit, Muharrem Lita është qëlluar tri herë, njëri prej plumbave e ka kapur atë në kokë dhe tjetri në trup. Vdekja e tij ka qenë thuajse e menjëhershme. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, ndërkohë që janë shoqëruar në polici 10 dëshmitarë okularë për të hedhur dritë mbi rrethanat, në të cilat ka ndodhur ngjarja, bilanci i së cilës ishte një i vdekur.
Rrëfimi
“E kam qëlluar në gjaknxehtësi e sipër, pas një konflikti që nisi prej viktimës”, - mësohet të ketë deklaruar përpara oficerëve të Policisë Gjyqësore dje Kastriot Stojani. Sipas burimeve nga policia, mësohet se Stojani, 35 vjeç, ka bërë me dije se viktima pas humbjes së një shume prej 80 mijë lekësh në kazinonë ku ai punonte si truprojë, “Admiral Club”, në afërsi të Stacionit të Trenit, ka nisur të prishte edhe kompjuterët që ndodheshin aty. Stojani i ka shpjeguar oficerëve të Policisë Gjyqësore se ishte përpjekur për të qetësuar viktimën dhe më pas ta nxirrte jashtë ambienteve të kazinosë. Por, sipas deklaratës të 35-vjeçarit, Lita dhe ai fillimisht janë konfliktuar vetëm me sharje, ndërsa situata ka degjeneruar deri në përdorimin e armës. Burime nga policia kanë bërë me dije autori ka qëlluar viktimën me tri plumba, me pistoletën e tij tip “Beretë”, model 15-she. Ai i ka bërë me dije policisë se nuk ishte larguar nga vendngjarja edhe pas vrasjes, duke u vetëdorëzuar përpara autoriteteve policore.
Morti në familjen Lita
Lotët dhe dhimbja ka përshkruar dje familjen e 40-vjeçarit Muharrem Lita, i cili la jetimë dy fëmijë, pas shkrepjes së armës nga kolegu i tij. Askush nuk flet, të gjithë heshtin. Oborri i vilës 1-katëshe, ngjyrë bizele, në hyrje të Bathores, ku jetonte viktima ishte mbushur dje plot e përplot me të afërm, miq dhe shokë të tij. Ora po afronte 15:00 kur të afërmit e tij do ta përcillnin për banesën e fundit, ku edhe i dhanë atij lamtumirën e fundit. Familjarët e Litës nuk pranuan të flisnin rreth ngjarjes, ndërkohë që të afërm të tij nën zë tregojnë se Lita kishte pak kohë që kishte lënë punën, ndërkohë që dikur ai mësohet të kishte punuar në SHIK. Ishte babai i dy fëmijëve të vegjël. E ndërsa familja Lita vuan humbjen e të afërmit të tyre, efektivi i FNSH-së ka pranuar dje autorësinë e vrasjes së 40-vjeçarit Muharrem Lita. Përpara oficerëve të Policisë Gjyqësore, Kastriot Stojani ka pranuar të ketë qëlluar viktimën duke treguar edhe rrjedhën e ngjarjes.