Vrau me thikë 17 vjet më parë, ekstradohet nga Anglia i dënuari me 17 vjet burg

Tiranë, 31 Gusht, NOA Në vitin e largët 1993 do të kryente një vrasje me thikë, akt për të cilin do të dënohej me plot 17 vjet burg nga drejtësia dhe më në fund sot, ai gjendet në territorin shqiptar për ta vuajtur këtë dënim.
Fjala është për të shumëkërkuarin e drejtësisë shqiptare Hamit Musa, 38 vjeç, lindur në Fier, ndaj të cilit u krye ditën e sotme ekstradimi nga Londra dhe kjo falë bashkëpunimit të zyrës së Interpol Tiranës me homologen e saj të Britanisë së Madhe.
Siç bëhet me dijeni nga burimet policore për agjencinë e Lajmeve NOA, gjykata e Fierit me vendimin nr. 18, të datës 08.02.1995, e ka dënuar me 17 vjet burg Hamit Musës, për kryerjen e veprës penale të Vrasjes me dashje, parashikuar nga nenet 83 dhe 31/b, të Kodit Penal të vjetër.
Kjo pasi më datë 05.07.1993 ai ka vrarë me thikë Flatun Kapajn, ngjarja kjo e cila ka ndodhur pas një grindje fillimisht të vëllait Musas me tre persona, e më pas në këtë grindje është përfshirë dhe i ekstraduari Hamit Musa, i cili ka goditur me thikë shtetasin Flatun Kapajn, duke i shkaktuar vdekjen atij.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Londrën, më datën 06. 06.2009, u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i Hamit Musës.
Ndërkaq, në aeroportin Nënë Tereza në Rinas sot ky person u është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
n.e/NOA