E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vrau për një femër, në pritje të vendimit oficeri i policisë

09/02/2005  Rikthehet për të dytën herë, gjykimi i një të dënuari me 12 vjet burg

KORÇË – Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Korçës, zhvillohet për të dytën herë, prej disa seancash, gjyqi në ngarkim të të pandehurit Astrit Zeka. Sipas prokurorisë, Zeka një ish-oficer policie, akuzohet për konsumim të veprës penale të vrasjes me dashje e parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal. Ngjarja, për të cilën ai po gjykohet, ka ndodhur para 11 vjetësh, kohë kur ai i ka marrë jetën 39-vjeçarit Roland Koruni duke e qëlluar atë me një pistoletë të tipit TT. Më pas i pandehuri është larguar në drejtim të paditur për t’u kapur nga uniformat blu para 2 vjetësh, në kryeqytet. Për vrasjen e Korunit, 35 vjeçari Zeka është dënuar në mungesë me 12 vjet heqje lirie nga gjykata e shkallës së parë të rrethit Korçë. Menjëherë pas kapjes, i pandehuri Astrit Zeka ka vendosur të bëj ankimim në Gjykatën e Apelit për t’u gjykuar tashmë në prezencë dhe kjo e fundit e ka sjellë për rishqyrtim këtë çështje pranë gjykatës së Shkallës së Parë të Korçës.

Gjatë zhvillimit të seancës së djeshme, trupi gjykues, i kryesuar nga Arben Lera, ka marrë në pyetje të pandehurin, i cili nuk e ka pranuar deri në këmbëngulje akuzën.

“Viktima së bashku me disa shokë të tij kanë dashur të më grabisin dhe gjithçka që ka ndodhur më pas e kam bërë për vetëmbrojtje, është shprehur Zeka. Kam nxjerrë pistoletën për ta shkrehur në ajër, por në këtë moment jam sulmuar nga viktima dhe befas ka ndodhur një shkrepje e pavullnetshme e armës”.

I pandehuri ka qenë me detyrën e oficerit të policisë, çka shpjegon edhe mbajtjen e armës me vete. Në vazhdim, avokati mbrojtës i të pandehurit, Sotiraq Çeta, ka pretenduar se vrasja nuk ka qenë aspak e qëllimshme, por ka ndodhur në kushtet e vetëmbrojtjes personale.

Prokurorja e çështjes, Irena Cunoti, ka reaguar ashpër pas deklaratave të sipërpërmendura. Gjithçka ka ndodhur për një femër, ka thënë dje përfaqësuesja e organit të akuzës, dhe ky ka qenë motivi i vrasjes së Roland Korunit. Vajza quhet Mimoza S. e cilësuar nga organi i akuzes si “molla e sherit”. Sipas Cunotit, vajza kishte lidhje dashurie me viktimën, gjë të cilën i pandehuri nuk mund ta pranonte.

Mbrojtja ka kërkuar dëshminë e vajzës, e cila do të thirret në seancën e ardhshme.

Pas ngjarjes së ndodhur 11 vite më parë, Prokuroria Ushtarake e rrethit të Korçës filloi menjëherë procedimin penal ndaj Astrit Zekës, punonjës i komisariatit të policisë Korçë. Më 4 shkurt të 1995, kjo prokurori vendosi pezullimin e tij nga kjo detyrë dhe më pas ai largohet në drejtim të paditur. Çështja i kaloi për shqyrtim gjykatës së faktit dhe në 26.09.1997 dënohet në mungesë me 12 vjet heqje lirie.

Ngjarja, sipas prokurorisë

“Vrasja ndodhi pas ngacmimit të së dashurës të viktimës”

Gjithçka ka ndodhur më 28.06.1994, rreth orës 9.30 të mëngjesit, në afërsi të Bankës së Shtetit, në qytetin e Korçës. I pandehuri ka pyetur vajzën, Mimoza S., tek po kalonte rrugës për orën. Më pas ajo largohet për të takuar të dashurin e saj, Roland Korunin, me të cilin njiheshin prej kohësh, pasi kishin qenë bashkë në Greqi. Zeka vazhdon ta ndjekë vajzën deri në momentin e takimit me viktimën, madje qëndron shumë afër tyre. Viktima i bezdisur nga prania e të pandehurit i kërkon atij për t’u larguar. Nis kështu grindja ndërmjet tyre. Mimoza largohet për të thirrur për ndihmë vëllanë e viktimës, i cili ndodhej pak më tutje. Në këtë moment i pandehuri i veshur civil atë mëngjes nxjerr pistoletën, duke e qëlluar vetëm një herë Korunin me pasojë vdekjen e menjëhershme të tij.

Pretendimi i ish-policit

“Isha në detyrë më rrahën e më qëlluan keqas”

Ndërsa ish-punonjësi i policisë, Astrit Zeka ka deponuar se atë mëngjes kishte për detyrë të kontrollonte rojet e vendosur në objekte me rëndësi të veçantë dhe banka e shtetit ishte një prej tyre. “Në kohën kur unë kalova mbrapa bankës, sulmohem njëherësh nga 4 persona, ishte viktima me shokët e tij. Koruni më ka qëlluar me një dorezë hekuri, pasi donin të mernin pistoletën, ka thënë Zeka. Pasi më kanë zhdëpur në dru, kam arritur të kap pistoletën dhe kam menduar të qëlloj në ajër për t’i trembur. Por, në atë moment, më është vërsulur viktima dhe arma është shkrepur në mënyrë të pavullnetshme, duke i shkaktuar atij vdekjen. Të shtënën e ka dëgjuar edhe roja i bankës, i cili ka ardhur menjëherë në vendngjarje. Kam lënë viktimën me rojen dhe u largova për të kapur shokët e tjerë të tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›