E Diel, 1 Nëntor 2026

Vret veten me armë gjahu 19-vjeçari, dyshohet se përgjonte fqinjët

24/08/2011  Mendohet se nuk ka duruar turpin pas pikasjes. Ngjarja tragjike në mesnatë

FIER- Përgjimi i fqinjëve duket se e ka çuar një 19-vjeçar drejt aktit fatal të vetëvrasjes. Një tjetër vetëflijim ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të ditës së djeshme në banesën e 19- vjeçarit banues i fshatit Libofshë rreth 12 km larg qytetit të Fierit.

Ngjarja

Turpërohet nga fqinjët, vret veten me armë gjahu. Mendohet të ketë qenë ky motivi i vetëvrasjes së 19-vjeçarit M. D. nga fshati Libofshë e rrethit të Fierit. Mësohet se ngjarja ka ndodhur duke u gdhirë dita e Martë, rreth orës 03.00 të mëngjesit në banesën e familjes së viktimës. Pikërisht rreth kësaj ore, të afërm të të riut kanë dëgjuar një të shtënë arme dhe të terrorizuar kanë shkuar pranë vendit ku ndodhi zhurma. Kur kanë mbërritur aty, kanë parë të shtrirë në tokë, me plagë në kraharor 19 vjecarin, i cili ishte në gjendje të rëndë. Menjëherë familjarët e kanë shoqëruar atë drejt spitalit të qytetit të Fierit, por megjithë ndihmën e dhënë nga mjekët 19-vjeçari nuk ka mundur ti shpëtojë vdekjes. M. D. ka ndërruar jetë vetëm 30 minuta pas dërgimit të tij në spital. Vetë bluzat e bardha kanë pohuar se viktima është paraqitur në mjediset e urgjencës së Fierit me plagë të rëndë e cila ishte shkaktuar nga goditja me armë zjarri në distancë fare të vogël. Mjekët kanë pohuar se u bë gjithçka ishte e mundur për të mbajtur në jetë djalin, por çdo tentativë rezultoi e kotë. Në të njëjtën kohë pranë banesës së kësaj familjeje, në Libofshë forca të shumta policore nisën edhe hetimet për zbulimin e motivit që çoi 19-vjeçarin në vetëvrasje. Pistat e hetimit janë të shumta e ndërsa nga policia deklarohet se kanë qenë motivet e dobëta ato që e kanë çuar të riun në këtë akt fatal për jetën. Por, burime jozyrtare në fshatin Libofshë, aty ku ndodhi edhe ngjarja, kanë deklaruar se vetëvrasja e djalit ka ardhur pasi ai është kapur nga fqinji i tij duke përgjuar këtë të fundit nga dritarja. Gjithashtu në mënyrë konfidenciale pohohet se 19 vjeçari shikonte në mënyrë të fshehtë lëvizjet e fqinjëve të tij, por këta të fundit e kanë zbuluar. Pasi i kanë tërhequr vëmendjen për veprimin që bënte, 19-vjeçari nuk ka mundur të përballojë dot turpin, dhe për këtë arsye mendohet të ketë kryer edhe vetëvrasjes. Gjithsesi për motivin e vetëflijimit është duke u punuar nga grupi hetimor, i cili po mbledh të gjitha të dhënat, që do të çojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›