E Diel, 1 Nëntor 2026

Vret vjehrrin në shtëpinë e tij, i kërkoi llogari për të bijën

24/08/2011  Debate në familjen Marku, të plagosur dhe babai e vëllai i autorit. Në pranga 2 vëllezër

SHKODER- Efektivat e policisë së Shkodrës kanë arrestuar dy vëllezër, pikërisht shtetasit Dedë Prek Marku 35 vjeç dhe Gjovalin Prek Marku, 28 vjeç, që të dy banues në lagjen “10 Korriku” të qytetit të Shkodrës. Vëllezërit Marku u arrestuan pasi akuzohen për vrasje me dashje në bashkëpunim. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur një natë më parë në banesën e këtyre shtetasve, ku pas një konflikti mes dy familjeve mbeti i vrarë me armë të ftohtë thikë shtetasi 60-vjeçar Gjon Kodra, vjehrri i të arrestuarit Dedë Marku. Burimet policore shprehen se shkak i kësaj ngjarje ka qenë një debat i filluar mes viktimës Kodra dhe dhëndrit të tij Dedë Marku në lidhje me pengesën që dhëndri i kishte bërë së bijës së Kodrës për të shkuar në një dasmë tek një i afërm i familjes së tyre.

Vrasja

Vjehrri i shtetasit Dedë Marku, shtetasi Gjon Kodra kishte shkuar te shtëpia e dhëndrit për të marrë vesh shkaqet e pengesës që i ishte bërë vajzës së tij për të shkuar në dasmë dhe është përfshirë në një debat të ashpër me të gjithë krushqinë e tij. Debati ka vijuar me sharje e fyerje të ndërsjella derisa ka kaluar në konfrontime fizike e përdorim thikash. Në konfrontim e sipër, i moshuari Gjon Kodra ka marrë një goditje thike në trup nga dhëndri i tij, shtetasi Dedë Marku. Ndërkohë kanë mbetur të plagosur po me thikë babai dhe vëllai i shtetasit Dedë Marku, pikërisht shtetasit Prekë e Gjovalin Marku. Menjëherë pas këtij konfrontimi me thika të dëmtuarit nga armët e ftohta janë dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve, shtetasi 60-vjeçar Gjon Kodra ka ndërruar jetë vetëm pas disa minutash nga mbërritja në spital për shkak të hemorragjisë së madhe si pasojë e plagës së thellë që kishte marrë. Ndërkohë dy të plagosurit Prek e Gjovalin Marku janë jashtë rrezikut për jetën. Të njëjtët burime policore shprehen se viktima nga njëra palë dhe dy të plagosurit nga ana tjetër kanë bërë që të mendohet se ka pasur përleshje me thika mes palëve të përfshira në konflikt. Megjithatë, po hetohet akoma rreth kësaj ngjarjeje, pasi në vendin e ngjarjes është gjetur vetëm një thikë, me të cilën mendohet se është vrarë shtetasi Kodra. Vetëm disa minuta nga kjo ngjarje, efektivat e policisë kanë vënë nën pranga shtetasin 35-vjeçar Dedë Marku, të akuzuar si autor i vrasjes së vjehrrit të tij, shtetasit 60-vjeçar Gjon Kodra. Njëkohësisht blutë kanë arrestuar dhe vëllain e autorit, shtetasin 28-vjeçar Gjovalin Marku, i cili akuzohet për bashkëpunim në kryerjen e këtij krimi. Ndërkohë, mbi dy të arrestuarit rëndon dhe akuza “Prodhim e mbajtje pa leje e armëve të ftohta”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›