Vritet me thikë biznesmeni i skrapit
Ylli Tafani, 58 vjeç, mbeti i vdekur dje pasdite nga Shaban Allaraj në Sauk, pasi u qëllua me thikë pas një konflikti për hekur
Arrestohet autori i krimit nga policia. Viktimia kishte rrahur djalin e autorit pasi dyshonte se i rishiste mallin e tij
TIRANË- Vritet me thikë pronari i një pike të grumbullimit të hekurit të përdorur në Sauk, pas një konflikti për vjedhjen e hekurit nga djali i autorit që dyshohet se ka kryer vrasjen.
Ngjarja ndodhi në orët e mbrëmjes së ditës së djeshme, ku Ylli Tafani, 58 vjeç me banim në Tiranë, është qëlluar disa herë me thikë rreth orës 20 00 të së mërkurës, nga Shaban Allaraj, 52 vjeç, me banim në Sauk, pas një sherri që ka patur si shkak djalin 13- vjeçar të autorit të ngjarjes.
Sipas burimeve zyrtare nga Policia e kryeqytetit, vetëm pak minuta pas vrasjes së pronarit të pikës së grumbullimit të hekurit, është arrestuar edhe autori që është i dyshuar për kryerjen e krimit , me akuzën e vrasjes me dashje, në banesën e tij, disa metra larg vendit ku ndodhi krimi.
Nga të dhënat paraprake lidhur me ngjarjen mësohet se autori është gjetur në banesën e tij duke pirë kafe dhe me njollat e gjakut në bluzën që mbante veshur dhe pa bërë tentativë për t'i shpëtuar arrestimit të policisë, pranë vendit të quajtur ish- magazinat e Degës Ushtarake.
Nga hetimet paraprake të uniformave blu rezulton se viktima, fillimisht është grindur me të birin 13- vjeçar të autorit të dyshuar Shaban Allaraj. Pasi është njoftuar se djali i tij nuk i kishte marrë lekët e hekurit, Allaraj është nisur drejt vendit ku punonte Tafani, i cili është konfliktuar ashpër me të, duke e goditur atë, me armë të ftohtë thikë, për konfliktin që ka nisur për mos pranimin e shlyerjes së lekëve të hekurit të sjellë nga djali i autorit të dyshuar për ta shitur.
Nga të dhënat e dëshmitarëve të vendit të ngjarjes si dhe nga të dhënat e personave që njihnin si autorin e dyshuar ashtu edhe viktimën, mësohet se 58- vjeçari Tafani, nuk ka pranuar t'i japë lekët 13- vjeçarit me pretendimin se ai e kishte vjedhur hekurin në pikën e tij të grumbullimit.
Mësohet se viktima e ka qëlluar më pas djalin e Shaban Allarajt, çka ka sjellë dhe më pas irritimin e këtij të fundit. Pasi ka mësuar se çfarë kishte ndodhur mes djalit të tij dhe viktimës, Allaraj, me armën e ftohtë me vete ka shkuar tek vendi ku grumbullonte hekurin Tafani.
Në fillim midis dy protagonistëve të ngjarjes ka patur një debat të ashpër, që në fund është mbyllur me goditjen me thikë të Ylli Tafanit, i cili nga plagët që ka marrë në trup nuk ka mundur që të mbijetojë.
Pak minuta pasi kishte ndodhur vrasja e 58 vjeçarit që banonte në Tiranë, në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie nga Komisariati nr. 1, të cilët sekuestruan dhe thikën me të cilën është kryer krimi si dhe administruan një sërë provash të tjera, në vendngjarje.
Ndërkohë, lidhur me ngjarjen e rëndë ku mbeti i vdekur Ylli Tafai, janë shoqëruar nën cilësinë e dëshmitarëve disa persona që janë marrë në pyetje për konfliktin midis viktimës dhe autorit të dyshuar të ngjarjes që u arrestua vetëm disa minuta pasi bëri vrasjen. Shaban Allaraj akuzohet për veprën penale të vrasjes me dashje.