E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vuvuzela për OSBE-në

Misioni i OSBE-së në Kosovë e ka filluar të mërkurën punën nën zhurmën e vuvuzelave. Kjo është mënyra që kanë zgjedhur punëtorët e ndërmarrjes shoqërore “Marketingu”, për të shprehur pakënaqësitë ndaj këtij misioni, që nuk po ua paguan qiranë që 11 vjet, sa edhe e shfrytëzon ish-objektin e “Bankës së Lubjanës”.

Ndërmarrja “Marketingu” pretendon që është pronare e katër kateve të ndërtesës, ku aktualisht ndodhet OSBE-ja. Ata thonë se i kanë të gjitha dokumentet që dëshmojnë pronësinë, por që OSBE-ja nuk është e interesuar të paguajë qiranë e objektit të tyre, që e shfrytëzon që nga paslufta. Për këtë çështje, “Marketingu” ka pasur disa herë protesta radhazi, një proces gjyqësor në Odën e Posaçme të Gjykatës Supreme si dhe një varg aktivitetesh të tjera.

Për më tepër, kjo ndërmarrje i ka përgatitur edhe një faturë OSBE-së, e cila kap vlerën prej 2 milionë e 640 mijë euro, duke ia shtuar edhe kamatën prej 715 mijë eurosh.
Ndërkaq, përveç punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje, të mërkurën në protestë u panë edhe familjarët e tyre. Me këtë gjest, Sindikata thotë se ka dashur të tregojë se nga të ardhurat personale nuk janë privuar vetëm punëtorët, por kjo ka pasur ndikim edhe në gjendjen financiare të familjes.

Kryetari i Sindikatës së ndërmarrjes “Marketingu”, Beqir Kaçandolli, thotë se menaxhmenti i ndërmarrjes nuk ka lënë derë pa trokitur, por askush deri tani nuk iu është përgjigjur punëtorëve.

Të injoruar dhe pa mbrojtje ligjore, Sindikata e ndërmarrjes konsideron se më nuk ka mbetur asnjë formë civilizuese të përballen, siç thonë ata, me uzurpatorin – OSBE-në.

“Kërkesat tona janë lirimi i menjëhershëm i aseteve tona, pagesa e qirasë që nga paslufta, pagesa e kamatës për vonesa në pagesa, kompensimin e dëmeve të shkaktuara, kthimin e dosjeve si dhe OSBE-ja t’i respektojë të drejtat pronësore dhe vetë pronarët”, ka thënë Kaçandolli.

Menaxhmenti deri tani ka kërkuar shpëtim nëpër Gjykata, që prej Gjykatës komunale, asaj të Qarkut dhe Odës së Veçantë të Gjykatës Supreme. Mirëpo, në të tria këto institucione, punëtorëve iu është refuzuar kërkesa.

Sipas Kaçandollit, OSBE-ja e ka shfrytëzuar autoritetin mbi gjykatat dhe ka kërcënuar gjyqtarët, duke pamundësuar marrjen e vendimeve të drejta.

Ndërkaq, me krijimin e Odës se Veçantë të Gjykatës Supreme, menaxhmenti kishte shpresuar se më në fund është themeluar një mekanizëm që merret me problemet e ndërmarrjeve shoqërore.

“Edhe kjo gjykatë i bishtnoi çështjes duke kërkuar përkthimin e gjithë dokumentacionit të NSH-së, gjë që ishte e pamundur, edhe financiarisht, edhe praktikisht”, thotë Kaçandolli, duke shtuar se në fund Oda refuzoi kërkesën e punëtorëve.

Megjithatë, rrugëtimi i punëtorëve nëpër objektet e drejtësisë kosovare nuk ndalej me kaq. Menaxhmenti i ndërmarrjes i është drejtuar për ndihmë edhe EULEX-it. Por, në vend se EULEX-i të zbatojë misionin e tij, Kaçandolli thotë se ky mision e dërgoi një përgjigje diplomatike, duke thënë se nuk merren me padi civile.

“Si mund të shpresojmë se do të kemi sundim të ligjit, kur pronari nuk arrin ta gëzojë pronën e tij”, thotë ai.

Kësaj pune nuk kishte arritur t’ia lidhë kryet as ish-AKM-ja. Punëtorët e bëjnë fajtore edhe AKM-në, për të cilën thonë se është frikësuar të përballet me një institucion si OSBE-ja dhe e ka lënë çështjen pezull.

Krejt çka kishte bërë kjo agjenci, ishte dërgimi i kontratës zyrtare të qiramarrjes për hyrje në marrëdhënie qiramarrëse me AKM-në në emër të “Marketingut”. Por, pasi ishte injoruar nga OSBE-ja, menaxhmenti thotë se sot e asaj dite, kjo agjenci ishte pasivizuar.

Për me tepër, punëtorët e kësaj ndërmarrjeje frikësohen se pas largimit të paralajmëruar të OSBE-së nga objekti, Administrata Komunale do t’ua kërkojë atyre pagesën e tatimit në pronë për 11 vjet, sa ka qëndruar ky mision.

Kjo është hera e katërt që punëtorët e ndërmarrjes “Marketingu” protestojnë për realizimin e kërkesave të tyre, ndërkohë që paralajmërojnë edhe organizime të tjera sindikale.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›