Wammen: Topi i integrimit është në fushën e qeverisë shqiptare
Bruksel- Ministri danez i Çështjeve Europiane, i ka bërë thirrje të realizojë reformat dhe të bëjë progress, duke theksuar se nuk ka biletë falas për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ministri,vendi i të cilit përmbyll tashmë presidencën 6 mujore, i pyetur në do e marrë Shqipëria statusin e vendit kandidat këtë vjeshtë, ai ka deklaruar se kjo është në dorën e Shqipërisë dhe se topi është në fushën e qeverisë shqiptare.
Më poshtë intervista e plotë e z. Nicolai Wammen.
Më poshtë intervista me kryediplomatin danez, Nicolai Wammen:
Top Channel: Presidenca daneze nisi dhe përfundoi pa ndonjë lajm të mirë për Shqipërinë. Cilat ishin arsyet?
Nicolai Wammen, Ministri danez për çështjet europiane, Presidenca e BE: Unë besoj se qasja daneze ndaj Shqipërisë ka qenë shumë e qartë.
Ne duam që të bëhet progres dhe që të bëhen reformat. Me këtë mesazh unë vizitova dhe Shqipërinë. Ne e mirëpresim vendin në rrugën europiane por nuk ka bileta falas për anëtarësimin në BE dhe në Shqipëri ka shumë punë që duhen bërë. Ky ka qenë mesazhi i dhënë që nga dita e parë, dhe ky mesazh mbetet në fuqi edhe në ditën e fundit të Presidencës daneze.
Top Channel: A u ndoqën këshillat e mesazhet që dhatë gjatë vizitës së majit në Tiranë. A e kaluam testin për demokracinë në vend me zgjedhjen e Presidentit?
Nicolai Wammen: Presidenti i ri u zgjodh sipas rregullave të Kushtetutës shqiptare, por në të njëjtën kohë ai u votua nga një shumicë tepër e ngushtë. Për këtë arësye është ekstremisht e rëndësishme që Presidenti, por edhe në përgjithësi lidershipi i Shqipërisë, të zgjedhin rrugën e bashkimit të palëve përbërëse të jetës politike në vend, që Shqipëria të bashkohet e të përparojë. Kjo është një përgjegjësi e madhe për të gjitha palët e përfshira dhe ky është gjithashtu mesazhi i radhës nga Presidenca daneze.
Top Channel: A prisni ti jepet Shqipërisë statusi kandidat para vitit 2013, kur vendi do të vihet sërish nën provën e mbajtjes apo jo të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme?
Nicolai Wammen: Që kjo gjë të ndodhë, është me të vërtetë shumë në dorën e Shqipërisë për të dëshmuar progresin që kërkohet. Prandaj, mbi shpatullat e politikanëve kryesorë në Shqipëri rëndon një përgjegjësi e stërmadhe. Pjesa tjetër e Europës, përfshirë Bashkimin Europian, do të vijojnë të ndjekin nga shumë pranë zhvillimet në vend, dhe unë besoj se topi është tashmë në fushën e Qeverisë shqiptare.
Marrë nga Top Channel