E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wikileaks: Komandot, rrjet mashtrimi me vizat e SHBA

TIRANE- Komandot shqiptarë të kthyer nga Iraku, u përfshinë në një rrjet mashtrimi me vizat amerikane për të siguruar hyrjen dhe qëndrimin në SHBA. Çështja ka rezultuar tepër shqetësuese për zyrtarët e lartë të ambasadës dhe vetë ambasadorin John Withers, i cili e ka raportuar këtë në Departamentin e Shtetit. Në një kabllogram që daton 19 shkurtin 2009, theksohet se 20 komando shqiptarë aplikuan në ambasadën amerikane në Tiranë për viza turistike, me qëllim që të vizitonin miqtë që kishin njohur ndërsa kryenin shërbimin ushtarak në Irak. Shumë prej tyre paraqitën ftesa nga kontraktorë apo personeli ushtarak amerikan në Irak. Shumë prej tyre vërtetuan se ishin në detyrë dhe kishin marrë autorizim për leje, por asnjë prej tyre nuk është kthyer deri tani në Shqipëri", thekson mesazhi. Për këtë arsye, ambasada i ka kërkuar ndihmë Departamentit të Shtetit në zgjidhjen e çështjes dhe marrjen e masave parandaluese.
Rrjeti i mashtrimit
Dokumenti thekson se gjatë dy viteve, më shumë se 20 ushtarë kishin aplikuar për viza turistike dhe ambasada ua kishte dhënë për shkak se nuk donte të kishte të bënte me pakënaqësi në momentin kur presidenti Bush të vizitonte Shqipërinë dhe të takohej edhe me komandot shqiptarë", shkruhet në mesazh. Por, pas rritjes së numrit të kërkesave për viza, disa u refuzuan dhe pas kësaj, komandot shqiptarë nisën të paraqesin ftesa nga punonjës amerikanë. Tetë aplikime u paraqitën në 2007-ën dhe 2008-ën, një nga vizat u anulua dhe një tjetër u kthye mbrapsht. Nga gjashtë aplikantë, tre janë ilegalisht në SHBA sot dhe tre të tjerë kanë aplikuar për të ndryshuar statusin. Disa prej aplikantëve morën ftesë nga shtetasi amerikan Matthew Woodford Vinson III, punonjës në një kompani ushtarake në Mosul, në vitin 2006. Pasi disa viza u refuzuan, komandot nisën të paraqesin kërkesa nga Kendra Evers, një tjetër punonjëse e personalit ushtarak në Irak. Nga komandot shqiptarë, Mirjan Xhixha është ilegalisht në SHBA, pasi paraqiti një ftesë nga Vinson, ndërsa Alfred Dani hyri në SHBA pasi iu refuzuar kërkesa e parë për vizë. Edhe Alban Kadhe paraqiti një ftesë nga Vinson në nëntor të 2007-ës, duke siguruar vizë tremujore. Gentian Noka siguroi vizën në janar të 2008-ës, pasi paraqiti ftesën e Vinson. Ai tha se kishte gruan shtatzënë dhe do të kthehej shpejt, ndërsa punonjësi i sektorit konsullor verifikoi lejen e tij nga ushtria. Ai ka hyrë në SHBA dhe ende është atje ilegalisht.
Vërejtje ushtrisë
Po ashtu, Ervin Korrës iu dha një vizë tremujore në gusht 2007 për të vizituar hallën e tij në Bruklin. Ai tha se kishte një muaj leje, por qëndroi atje dhe tentoi të ndryshonte statusin në prill 2008. Në janar të 2008-ës, motra e tij, Valbona Korra dhe bashkëshorti i saj nuk morën dot viza për ta vizituar atë. Një tjetër ushtar komando, Blerim Xhaja, ka aplikuar dy herë për të vizituar anëtarët e familjes Korra në Bruklin. Dyshohet se martesa e tij me Christina Paone për ndryshimin e statusit është një mashtrim dhe familjarët nuk dinin gjë për këtë kur aplikuan për viza. Edhe Ajet Aruçi, pasi siguroi një vizë me qëllim që të vizitonte Kendra Evers në shtetin e Uashingtonit, hyri në SHBA më 18 shkurt 2008 dhe nuk u largua më. Ai tentoi të ndryshonte statusin dhe ndjek Universitetin e Nju Jorkut. E"Matthew Vinson dhe Kendra Evers i kanë ndihmuar këta ushtarë të marrin viza, që më pas të hyjnë dhe të sigurojnë strehim në SHBA", thekson kabllogrami. Ambasada ka kërkuar hetimin e të dy shtetasve amerikanë për aktiviteteve të dyshimta, ndërsa ka kërkuar që ushtrisë shqiptare t'i dërgohet një mesazh, në mënyrë që të parandalohen aplikimet e tjera të gënjeshtërta.
(GSH/BalkanWeb) Lidhje te tjera Wikileaks, amb. SHBA e shokuar: Fjalori Rama - Berisha, turp kombëtar Wikileaks, Berisha, ish-komunist hesht për hapjen e dosjeve Wikileaks, Withers në '09: Bojkoti i Ramës, pa strategji Wikileaks, Në '09, qeveria vonoi kartat biometrike për të penguar zgjedhjet Wikileaks, SHBA të shqetësuar për lidhjet e PD me zyrtarët nën hetim KLIKO KETU PER TE LEXUAR TE GJITHA SHKRIMET E WIKILEAKS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›