E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wikileaks mobilizon edhe Obamën

Në deklaratën e tij në kopshtin e trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan, Barack Obama, foli për njoftimet e medies rreth 91 mijë dokumenteve, të publikuara nga faqja e internetit WikiLeaks.

Obama tha se është i shqetësuar se zbulimi i informacioneve të ndjeshme nga fusha e betejës mund të sjellë probleme për individët apo operacionet.

Por informacionet, shtoi ai, nuk zbuluan ndonjë gjë që nuk dihej dhe vetëm sa flasin për sfidat që e detyruan atë të ndërmerrte rishikimin e zgjeruar për politikat mbi Afganistanin dhe Pakistanin vitin e kaluar.

“Për shtatë vite ne dështuam të zbatojmë një strategji të përshtatshme me sfidat në rajonin nga ku u ndërmorën sulmet e 11 shtatorit dhe sulme të tjera ndaj SHBA-së dhe aleatëve. Për këtë arsye ne shtuam në mënyrë domethënëse angazhimin tonë, këmbëngulëm në përgjegjshmëri më të madhe nga partnerët në Afganistan dhe Pakistan, zhvilluam një strategji të re që mund të funksionojë dhe vumë në drejtim një ekip të ri, përfshi një prej gjeneralëve më të mirë për ta zbatuar planin dhe tani kjo duhet realizuar”, theksoi Obama.

Obama sapo pati përfunduar një takim me udhëheqës demokratë dhe republikanë të Kongresit amerikan, bisedime këto që përfshinë diskutime për një projektligj shpenzimesh emergjente prej 59 miliard dollarë që u debatua nga Dhoma e Përfaqësuesve të martën.

Rreth 33 miliard nga kjo paketë do të përdoren për misionin e ri të trupave amerikane në Afganistan, të urdhëruar nga presidenti si pjesë e strategjisë së tij të re për tu prerë hovin forcave talebane në konfliktin nëntëvjeçar.

Udhëheqësit demokratikë u përballën me kundërshtime nga demokratët kundër luftës. Dennis Kucinich i shtetit Ohio dhe Barbara Lee e Kalifornisë thanë se publikimi i dokumenteve të fshehta është një dëshmi tjetër për përfshirjen e padobishme të SHBA-së në Afganistan, ndërkohë që ka nevoja të ngutshme brenda vendit.

“Zgjohu Amerikë.. Ka para të pakufizuara për luftë. Para për një qeveri të korruptuar në Afganistan, Kur paratë amerikane nuk shkojnë për përdorim personal të mafies së Karzait, shkon në ndihmë të talebanëve që të vrasin trupat tona. Ka para për një qeveri të korruptuar në Pakistan që ndihmon talebanët në Afganistan për të vrarë trupat tona”, tha Kucinich.

Më pas vijoi ligjvënësja nga Kalifornia Barbara Lee.

“Kongresi nuk mund të vazhdojë të shkruajë çeqe të pakufizuara për një luftë në Afganistan që përfundimisht e ka bërë vendin tonë më të pasigurt”, theksoi Lee.

Duke ju përgjigjur një pyetje rreth ndihmave amerikane për Pakistanin në kuadër të daljes së dokumenteve sekrete që sugjerojnë vazhdimin e përfshirjes pakistaneze me talebanët, zëdhënësi Robert Gibbs, përsëriti një përgjigje të dhënë gazetarëve më parë.

“Ne kemi trefishuar numrin e trupave dhe burimeve në Afganistan. Kemi krijuar një strategji të re që përfshin se si të sillemi me Pakistanin. Sikurse ju kam thënë edhe dje, jo të gjitha problemet tona janë zgjidhur, por ne po bëjmë përparime”, tha Gibbs.

Duke folur në Bagdad të martën, Shefi i Shtabit të Shtatmadhorisë Amerikane, admirali Mike Mullen, tha se nxjerrja e dokumenteve të fshehta krijon atë që e quajti një kërcënim të mundshëm real që vë në rrezik jetët e amerikanëve.

Në një seancë dëgjimore të Komisionit të Senatit për Politikat e Jashtme mbi mundësitë e pajtimit në Afganistan, kryetari demokrat John Kerry hodhi poshtë rëndësinë e dokumenteve të fshehta të publikuara.

Faqja e internetit WikiLeaks ka publikuar rreth 90 mijë dokumente të ushtrisë dhe korpusit të marinës që kanë të bëjnë me luftën në Afganistan, në atë që thuhet se është në ndjekje të transparencës dhe përgjegjshmërisë.

Senatori Kerry e quajti publikimin e dokumenteve sekrete të papranueshme dhe tha shumica e tyre, në mos të gjitha, i përkasin kohës para strategjisë së re të presidentit Obama për Afganistanin që shpalosi në muajin dhjetor.

Zoti Kerry tha se pjesa më shqetësuese e informacioneve të nxjerra janë akuzat se sigurimi pakistanez ka lidhje të ngushta me talebanët e Afganistanit.

Kerry ka luajtur një rol kryesor në sigurimin e 7.5 miliard dollarëve për një paketë ndihmash zhvillimi për Pakistanin. Ai po e gjen veten nën trysni, si nga ligjvënësit demokratë, ashtu edhe nga republikanët, të cilët po ngrenë pikëpyetje lidhur me suksesin e politikave të administratës së presidentit Obama në rajon.

Por dëshmitarët në seancën dëgjimore për ripajtimin i bënë thirrje Kongresit dhe popullit amerikan që të mos braktisin përpjekjet për stabilizimin e Afganistanit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›