E Shtunë, 31 Tetor 2026

Withers: Ngushëllime për katër oficerët trima

Dje, Ambasada Amerikane
ka ngushëlluar krerët më
të lartë të shtetit, drejtorin
e Përgjithshëm të Policisë Ahmet
Prençi dhe familjet e katër policëve
të vrarë pesë ditë më parë
në krye të detyrës, gjatë aksionit
për kapjen e të shumëkërkuarit
Dritan Dajti në plazhin e Durrësit.
Kështu, sipas njoftimit zyrtar
të kësaj ambasade, ambasadori
John Withers i ka dërguar një
mesazh ngushëllimi Presidentit
Bamir Topi, Kryeministrit Sali
Berisha, si edhe ministrit të
Brendshëm, Bujar Nishani, duke
shprehur keqardhje të thellë për
jetët e humbura të oficerëve të
policisë. Në mesazhin për Kryeministrin
dhe Presidentin ai
thotë: "Me keqardhje të madhe
mësuam për ngjarjen tragjike të
së premtes në Durrës dhe rënien
në krye të detyrës dhe në shërbim
të vendit të tyre e oficerëve
të policisë, Fatos Xhani, Saimir
Duçkollari, Kastriot Feskaj dhe
Altin Dizdari. Kolegët e mi dhe
unë iu shprehim ngushëllimet
më të thella Juve dhe familjeve
të këtyre katër oficerëve trima,
të cilët gjatë karrierës së tyre
mbrojtën trimërisht popullin
shqiptar". Gjithashtu edhe ministri
i Brendshëm, Bujar Nishani,
ka marrë po dje një mesazh ngushëllimi
nga ambasadori i SHBAsë
në Tiranë, John L. Withers II,
ku thuhet: "Mësuam me shumë
keqardhje vdekjen në krye të detyrës
të oficerëve të policisë, Fatos
Xhani, Saimir Duçkollari, Kastriot
Feskaj dhe Altin Dizdari. Vdekja
e këtyre oficerëve të devotshëm
të policisë, gjatë kohës që ata
kryenin detyrën e tyre, dëshmon
dhe një herë për sfidat e mëdha
dhe punën e rrezikshme me të
cilën përballen zbatuesit e ligjit.
Unë dhe kolegët e mi iu përcjellim
ngushëllime të thella juve dhe të
gjithë nëpunësve të Ministrisë së
Brendshme e të Policisë së Shtetit
Shqiptar. Në këtë moment dhimbjeje,
lutem përcillni ngushëllimet
tona më të thella te familjet e
heronjve të rënë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›