E Shtunë, 31 Tetor 2026

Withers: Shqetësim për gjendjen e demokracisë në Shqipëri

TIRANE - Ish-ambasadori amerikan në vendin tonë, John L. Withers ka shprehur shqetësimin për gjendjen e demokracisë në Shqipëri. Në intervistën e tij të parë pas përfundimit të mandatit në Shqipëri, për “Zërin e Amerikës”, Withers deklaroi se Shqipëria nuk po ndjek rrugën e demokracive perëndimore.

“Shqipëria po shkon në drejtimin që po shkon Hungaria e cila po merr masa shtypëse ndaj medias, apo në drejtimin e Ukrainës që përdor gjykatat për të sulmuar udhëheqës të opozitës apo për të mbrojtur aleatë politikë dhe miq. Mendoj se po ndjek drejtimin e Rusisë, ku zgjedhjet nuk janë në standardet ndërkombëtare, gjë që ne presim t’i ketë një demokraci e zhvilluar”,- tha Withers.

Sipas ish-ambasadorit Withers, fakti që Shqipëria nuk po arrin të zgjidhë dukuri të tilla si korrupsioni, problemet në sistemin e drejtësisë dhe konfliktet politike, janë probleme të shkaktuara nga udhëheqësit politikë në vend që i quan përçarës dhe jo bashkues.

“Problemet e politikes nuk vijnë nga ambienti por polarizimi politik i udhëheqësve që thjesht nuk kanë në vetvete instinktin demokratik, për të cilët demokracia është diçka jashtë tyre, demokracia është diçka që nuk u vjen për shtat diçka që ata duhet ta manipulojnë për botën e jashtme, por jo që ata vetë ta praktikojnë, nuk u vjen nga zemra”- deklaroi Withers.

(er.nu/VOA/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›