E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wolfsburg ‘dëbon’ Diegon

Nga Express më 19 maj 2011 në ora 11:55

Diego nuk bën pjesë më në planet e Wolfsburgut. Trajneri Felix Magath nuk e ka ndërmend t’ia falë mesfushorit brazilian ‘tradhtinë’ që ia bëri në ndeshjen vendimtare për mbijetesë ndaj Hoffenheimit, kur e la stadiumin pasi e mori vesh se ishte rezervist.
Fatmirësisht, ekipi bardh e gjelbër fitoi edhe pa Diegon 3-2 dhe e evitoi rënien nga Bundesliga. Tabloidi gjerman Bild shkruan se trajneri gjerman është i vendosur që ta shesë ish futbollistin e Werder Bremen e të Juventusut ose ta dënojë.

“Trajneri Magath i ka thënë presidentit të këshillit mbikëqyrës të klubit, Francisco Javier Garcia Sanz, se nëse braziliani nuk shitet diku gjatë verës, sezonin e ardhshëm ai do të luajë me skuadrën e dytë, e cila luan në ligën e katërt gjermane”, shkruan Bild.
Gjithnjë sipas këtij tabloidi, Wolfsburg është i gatshëm ta shesë përfaqësuesin brazilian për 10 milionë euro. Diego i kishte kushtuar klubit gjerman 15 milionë euro vitin e kaluar, kur e bleu nga Juventusi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›