E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wordsworth: Pavarësia e Kosovës është fakt

Ambasadori britanik në Beograd, Stephen Wordsworth tha se insistimi për negociata të reja mbi statusin e Kosovës mund ta çojë Beogradin në një rrugë qorre.

“Pavarësia e Kosovës është një fakt, u pëlqeu apo jo”, ka thënë diplomati britanik për të përditshmen, “Blic”.

Wordsworth ka shtuar se asnjë prej shumë zyrtarëve të BE-së me të cilët ai është takuar, nuk beson se “qeveria e Kosovës do të pranonte të kthehej” nën kontrollin e Serbisë.

“Për këtë arsye nuk mund të ketë bisedime të reja ekskluzivisht për statusin e Kosovës. Statusi nuk do të ndryshojë, dhe insistimi për negociata të reja, mund ta çojë Beogradin në një rrugë qorre. Ndoshta duhet të ketë bisedime mes Prishtinës e Beogradit, por në një spektër të gjerë të çështjeve”, ka thënë ai.

Wordsworth tha se Beogradit “nuk i duhet ta zgjidhë çështjen e Kosovës në mënyrë që të bëhet kandidat për anëtarësim në BE”. /rel/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›