E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhafaj, Nishanit: Duam listat e zgjedhësve

Partia Socialiste këmbëngul që Ministria e Brendshme t‘i vërë në dispozicion listën përfundimtare të votuesve. Sekretari për çështjet ligjore në selinë rozë, Fatmir Xhafaj nisi dje një letër në adresë të Ministrisë së Brendshme, ku bën me dije se institucionet shtetërore kanë detyrim të japin një informacion të tillë. Xhafaj kujton se në datën 28 maj ka nisur një shkresë për drejtorin e përgjithshëm të gjendjes civile, bazuar edhe te Kodi Zgjedhor, ku kërkon një kopje elektronike të listave përfundimtare të zgjedhësve në shkallë vendi sipas qendrave përkatëse të votimit. Xhafaj konstaton se përgjigjja duhet të ishte dërguar brenda tri ditësh nga shkresa, ndërsa realisht kanë kaluar gjashtë ditë. "Kjo sjellje e qëllimshme është në vazhdën e mungesës së plotë të transparencës dhe komunikimit normal institucional që ministria që ju drejtoni është duke treguar ndaj subjekteve zgjedhore", nënvizon Xhafaj. Më tej, ai shkruan se selia rozë i konsideron këto veprime jo thjesht e vetëm shprehje të paaftësisë qeverisëse, por elementë të strategjisë së kësaj mazhorance për ta mbajtur procesin në mungesë transparence dhe për t‘i vënë kundërshtarët tuaj politikë në vështirësi organizimi elektoral dhe si një përpjekje për të mbuluar gjurmët e manipulimeve të mundshme të procesit, përpjekje me të cilat ne po përballemi përditë. "Ju kujtoj zoti ministër, se këto janë detyrime të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor, çka do të thotë se me këto veprime jeni duke shkelur ligjin", thekson sekretari për çështjet ligjore në PS. Paraditen e djeshme, kreu i Partisë Socialiste të Tiranës, Besnik Baraj, deklaroi se kjo parti ka hasur në probleme te njësia numër dhjetë në kryeqytet për të marrë listat përfundimtare. "Kjo është një e drejtë ligjore e jona, mbështetur në Kodin Elektoral dhe fakti se këto lista i disponon PD-ja, tregon qartë për mungesën e vullnetit për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme", tha Baraj.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›