Berisha: Shqipëria vend i sigurt për investime
05/06/2009 Kryeministri Berisha ka deklaruar gjatë ceremonisë së inaugurimit të portit të lëndëve djegëse në Porto-Romano, në Durrës, se Shqipëria është shndërruar në një vend i sigurt për investitorët e huaj. Ai u shpreh se ky inaugurim është dëshmi e një klime realisht shumë të mirë që qeveria ka krijuar për investimet dhe investitorët. “Në një hark kohor dy ditor, ne inauguruam dy parqe industriale në dy qytete tona të mëdha porte, të Vlorës dhe Durrësit, investime që kalojnë 100 milion euro. Këto janë investime me një perspektivë të jashtëzakonshme. Në tërësi, ne jemi shndërruar në një vend të besuar dhe me një qeveri shumë të besuar për biznesin ndërkombëtar dhe atë shqiptar”, tha Berisha. Kreu i qeverisë ka konsideruar ndërtimin e portit në Porto Romano një pikëfillimi për shndërrimin e kësaj zone në një nga nyjet energjetike më të rëndësishme dhe më të fuqishme të rajonit. “Ndërtimi i portit dhe parkut energjetik në Porto Romano përbë një pikëmbështetje shumë të fuqishme dhe jetike për zhvillimin e shpejtë të vendit, përbën një fillim të madh për shndërrimin e këtij porti dhe zonës në një nga nyjet energjetike më të rëndësishme dhe më të fuqishme të të gjithë rajonit”, tha ai.