Xhaferri: Po mbahet peng plani urbanistik

Deputeti i PD-së, Ferdinand Xhaferri tha sot në Kuvend se plani urbanistik i Tiranës po mbahet peng nga kryetari i bashkisë sepse kërkon ta trajtoj kryeqytetin si çiflig të tij. Në përgjigje të kritikave të deputetit socialist Erion Braçe ndaj maxhorancës aktuale, gjatë debatit të lirë në Kuvend, deputeti Xhaferraj u shpreh se krybashkiaku Rama në mënyrë të qëllimshme e ka lënë Tiranën pa një plan urbanistik, për t'i lënë shteg abuzimeve në marrjen e lejeve të ndërtimit, sikurse ka ndodhur me firmën e Mihal Delijorgjit, (i akuzuari i Gërdecit), të cilit i ka dhënë 18 leje ndërtimi në zona të ndryshme të kryeqytetit. Deputeti Xhaferraj theksoi se maxhoranca ka prioritet të saj rritjen e pagave, në ndryshim nga opozita që do rritjen e taksave. "Ne po punojmë për ndërtimin e një shteti ligjor në Shqipëri, që opozita nuk e realizoi në kohën e saj", tha deputeti i PD-së.