E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobjani: Partitë të mos përdorin fëmijët për fushatë

Emir Dobjani kritikon Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, se nuk shpërndan raportet e Avokatit të Popullit



TIRANË- Avokati i Popullit i ka kërkuar Kuvendit që të marrë masat e duhura ligjore, që fëmijët të mos përdoren nga forcat politike gjatë fushatave zgjedhore, si imazh apo për të mbushur sallat apo sheshet e mitingjeve.

Një kërkesë e tillë, që për hir të së vërtetës është e hershme, është përsëritur dje nga Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, gjatë prezantimit që ai i bëri raportit të punës për vitin 2008, në komisionin parlamentar të Ligjeve.

Sipas tij, shqetësimi që ka ngritur institucioni që ai drejton, nuk është marrë parasysh nga politika dhe ende nëpër takimet politike, partitë vijojnë të përdorin fëmijët në aktivitetet e tyre partiake.

"Ne kemi ngritur shqetësimin që fëmijët të mos përdoren për fushata elektorale dhe për këtë kemi bërë edhe propozime konkrete dhe, tjetra, mendoj se ka ardhur koha që në praktikën mëvonshme të futen skanerët elektronikë për numërimin e votave, në mënyrë që ky proces të mbarojë shpejt",- tha Dobjani.

Ndërkohë, ai ka atakuar në mënyrë direkte edhe Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila, sipas tij, ka fshehur raportet e posaçme që ky Avokat i Popullit i ka dërguar institucionit të Kuvendit gjatë vitit 2008. "Dua t'ju bie në vëmendje se unë kam bërë tre raporte të posaçme dhe, sipas ligjit, raportet e posaçme, Kryetarja e Kuvendit duhet t'ua shpërndajë.

E kam ngritur disa herë dhe këta të njësisë së monitorimit duhet të jenë më bashkëpunues, që këto raporte të vinin në komisionet përkatëse. Sepse i bie që unë bëj raporte dhe ato ngelen në sirtarët e administratës së Parlamentit. Do të kërkoj që roli juaj si komision, të jetë më i madh në këtë aspekt", - tha më tej Dobjani.

Ndërkohë, duke iu përgjigjur interesit të deputetëve dhe konstatimeve që bën shërbimi i monitorimit të institucioneve të pavarura që funksionon pranë Kuvendit, në lidhje me mungesën e transparencës për përdorimin e fondeve të fituara nga donacionet e ndryshme, Avokati i Popullit ka deklaruar se ato janë të masave të papërfillshme dhe se në bazë të detyrimit ligjor, për to raportohet në komision të ekonomisë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›