E Diel, 1 Nëntor 2026

Akreditimi i vëzhguesve, KQZ: Ndryshimi në fletoren zyrtare

Kompetenca e akreditimit të vëzhguesve, KZAZ-së, nuk do të kalojë përmes ndryshimit të Kodit, por ndryshimit në Fletoren Zyrtare. Argumenti: Është gabim teknik



TIRANË- Ashtu siç u paralajmërua para disa ditësh, Kodi Zgjedhor do të ndryshojë. Por nuk bëhet fjalë për një ndryshim përsëri në Kuvend, por për një korrigjim në Fletoren Zyrtare. Kjo duket se është zgjidhja që kanë menduar ti japin dy forcat kryesore politike ngërçit ligjor që është krijuar për çështjen e akreditimit të vëzhguesve partiak për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.

Ka qenë kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, ai që teksa ka kërkuar shtyrjen e miratimit të udhëzimit për akreditimin e vëzhguesve, ka bërë të ditur dje se me vullnetin edhe të forcave kryesore politike është vendosur që problemi i hasur për mundësinë e delegimit të kompetencave nga KQZ tek KZAZ për akreditimet të zgjidhet duke i kërkuar Kuvendit të bëjë rregullimin përkatës në ligjin zgjedhor. Zgjidhje kjo që është pranuar edhe nga anëtarët dhe përfaqësuesit e të gjitha partive në këtë komision.

Por tashmë nuk bëhet fjalë më për ndryshim termash ashtu siç edhe u propozua para disa ditësh, por vetëm referencash në ligj.

Dhe më konkretisht kërkohet të ndryshohet pika 6 e nenit 6 të Kodit Zgjedhor e cila përcakton se "KQZ-ja ka të drejtë, me udhëzim të veçantë, t'u delegojë KZAZ-ve kompetencën e akreditimit të vëzhguesve, sipas pikave 2 dhe 3 të këtij neni".

Pikërisht referimi në pikën 2 dhe 3 të po këtij neni vlerësohet i gabuar pasi janë dy pika që nuk kanë të bëjnë me mënyrën e akreditimit të vëzhguesve por me përcaktimin se kush mund të propozojë vëzhgues.

Ndërkohë që burime pranë dy forcave kryesore politike kanë bërë të ditur dje se për të bërë këtë rregullim nuk do të jetë e nevojshme, që të mblidhet Kuvendi, për të miratuar rregullimin përkatës, por do të mjaftojë një korrigjim të tij në Fletoren e botimeve Zyrtare.

Kjo sepse është konsideruar një gabim teknik i realizuar gjatë zbardhjes së Kodit dhe jo një përcaktim i bërë me vullnetin e plotë të legjislativit.

Pavarësisht se mund të jetë edhe një një gabim njerëzor apo edhe teknik, një korrigjim i tij në fletoren zyrtare dhe jo nëpërmjet një vendimmarrje në Kuvend pritet të bërbëjë shkas për një shkelje të legjislacionit në fuqi. Ndërkohë që KQZ nuk ka mundur dje që të miratojë asnjë prej udhëzimeve apo projektvendimeve të programuara për rendin e ditës së djeshme.

Kështu, ky komision është detyruar të shtyjë për një afat të papërcaktuar miratimin e udhëzimit mbledhjen e administrimin dhe publikimin e informacionit për procesin e numërimit të votave për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të qershorit të 2009.

Shkak është bërë mungesa e të dhënave mbi teknologjinë që do të përdoret për monitorimin dhe transmetimin e informacionit nga KZAZ-të në KQZ gjatë procesit të numërimit të votave.

Drejtoria e Teknologjisë pranë këtij institucioni ka kërkuar kohë për të dhënë një informacion të qartë vetëm pas testimit të sistemit të kompjuterave dhe të transmetimit të informacionit që do të përdoret kësaj here për herë të parë në zgjedhje. KQZ ka shtyrë edhe vendimmarrjen për udhëzimin mbi fushatën edukuese të zgjedhësve për ditën e votimit.

Neni 6
E drejta për të caktuar vëzhgues

1. Çdo parti politike, e regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor, ka të drejtë të caktojë nga një vëzhgues në KZAZ, në KQV dhe për çdo tavolinë në Vendin e Numërimit të Votave pas regjistrimit të kandidatit/kandidatëve për zonën zgjedhore përkatëse ose pasi ka paraqitur listë shumemërore.

Në rast se partitë politike paraqiten në zgjedhje si koalicion, të drejtën për të caktuar vëzhgues e ka vetëm koalicioni. Kandidatët e partive politike nuk kanë të drejtë të caktojnë vëzhgues.


2. Organizatat joqeveritare shqiptare dhe të huaja, si dhe organizatat ndërkombëtare të specializuara ose të angazhuara në mirëqeverisjen dhe demokratizimin, përfaqësuesit e shteteve të huaja dhe të medies kanë të drejtë të dërgojnë vëzhgues në zgjedhje.


3. Kandidatët e paraqitur nga një grup zgjedhësish në zonat e tyre përkatëse kanë të drejtë të caktojnë nga një vëzhgues në KZAZ, në KQV dhe në Vendin e Numërimit të Votave.


4. Akreditimi i vëzhguesve pranë komisioneve zgjedhore bëhet mbi bazën e të dhënave vetjake të çdo vëzhguesi. Akreditimi mund të përfshijë një ose më shumë qendra votimi ose një apo më shumë zona zgjedhore.

Një organizatë joqeveritare shqiptare apo koalicion i tillë, parti politike, koalicion ose kandidat i propozuar nga zgjedhësit nuk mund të ketë në të njëjtën kohë më shumë se një vëzhgues të pranishëm në një qendër votimi.

Çdo organizatë joqeveritare e huaj, si dhe organizatat ndërkombëtare nuk mund të kenë në të njëjtën kohë më shumë se dy vëzhgues të huaj në një qendër votimi.


5. Kërkesat e vëzhguesve shqiptarë për akreditim i paraqiten KQZ-së jo më vonë se 15 ditë para datës së zgjedhjeve.

KQZ-ja miraton kërkesat jo më vonë se 5 ditë nga paraqitja e tyre. Kërkesat e vëzhguesve të huaj paraqiten në KQZ jo më vonë se 72 orë para datës së zgjedhjeve.

KQZ-ja miraton kërkesat e vëzhguesve të huaj brenda 24 orëve nga paraqitja e tyre. Ndaj refuzimit ose mosdhënies së akreditimit mund të bëhet ankim, sipas procedurave të këtij Kodi.


6. KQZ-ja ka të drejtë, me udhëzim të veçantë, t'u delegojë KZAZ-ve kompetencën e akreditimit të vëzhguesve, sipas pikave 2 dhe 3 të këtij neni.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›