Pagat e reja, gjyqtarët ankohen në Kushtetuese
Gjyqtarët e Krimeve të Rënda, ankohen se me ligjin e ri u është ulur rroga. Kundërshton Ministria e Financave
TIRANË- Ligji "Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor", i miratuar gati një vit më parë me shumë bujë, si një arritje konsensuale e dy forcave të mëdha politike, ka mbërritur për të dytën herë brenda pak muajsh në Gjykatën Kushtetuese.
Është përsëri Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, që atakon nenin 26, pika 2 të këtij ligji, si të papajtueshëm me Kushtetutën, nen i cili përcakton se paga e gjyqtarëve të Gjykatës së Shkallës së parë të Krimeve të Rënda, të jetë e barabartë me 50 për qind të pagës së homologëve të tyre të Gjykatës së Lartë, plus 10 për qind për vështirësi pune, çka duket se ka sjellë dhe një ulje reale të pagës së tyre.
Seanca
Mbi bazën e kësaj kërkese, Gjykata Kushtetuese ka zhvilluar dje seancën, ku dhe ka marrë në shqyrtim kërkesën e palës paditëse, si dhe ka dëgjuar pretendimet e grupeve të interesit, siç ishte Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Financave.
Menjëherë pasi relatori i çështjes, Sokol Sadushi, ka lexuar para trupit gjykues pretendimet e palëve, përfaqësuesi i Unionit të Gjyqtarëve, anëtari i trupës gjykuese të shkallës së parë të Krimeve të Rënda, Luan Hasveziri, ka bërë një parashtresë të gjerë të të gjithë pretendimeve që ky union ka, lidhur me efektet reale që sjell një klauzolë e tillë, e vendosur në ligjin e ri të vitit 2008.
Sipas tij, legjislativi, në mënyrë të padrejtë ka vendosur që të kufizojë pagën e gjyqtarëve të kësaj gjykate, pavarësisht se në pamje të parë, klauzola e vendosur tregon se kemi një përmirësim të situatës.
Ndërsa përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë, Miran Kopani, pasi ka pretenduar se statusi që ka ky union gjyqtarësh nuk justifikon të drejtën për të bërë një padi të tillë, ka deklaruar se në thelb, kërkesa e gjyqtarëve të Krimeve të Rënda është e pabazë, kjo pasi, siç ka bërë të ditur ai, ligji i ri ka efekt vetëm për ata që gjyqtarë që fillojnë punë rishtazi në këtë gjykatë dhe jo për ata që kanë qenë anëtarë të saj para se ligji i ri të hynte në fuqi.
Gjithashtu, ai ka bërë të ditur se i gjithë ky debat bëhet vetëm për 16 gjyqtarë të kësaj gjykate, të cilët në bazë të përcaktimit që bën ligji, duhet të marrin si pagë 50 + 10 për qind të pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.
Financat
Pretendimet e Unionit të Gjyqtarëve i ka hedhur poshtë edhe Ministria e Financave, e cila nëpërmjet drejtoreshës së saj të buxhetit, Mimoza Dhembi, ka sqaruar para trupës së gjyqtarëve kushtetues, se ligji është miratuar mbi bazën e një skeme të qartë që, së pari respekton Kushtetutën dhe, së dyti, bën një trajtim logjik financiar të gjyqtarëve, mbi bazën e vështirësisë së punës dhe përvojës së fituar në vite.
"Pretendimi i palës paditëse nuk qëndron, pasi gjyqtarët e shkallës së parë të Krimeve të Rënda, marrin përsëri po aq pagë sa merrnin edhe më parë me ligjin e vjetër.
Pra, e thënë ndryshe, ata marrin tani aq sa merrnin në dhjetor të vitit 2008, kur ky ligj nuk kishte dhënë efektet e veta. Referencën për pagesën për vështirësinë, e keni mbi bazën e pagës suaj dhe jo mbi atë të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Ndërkohë që keni dhe shtesat e karrierës, pra 2 për qind rritje për çdo vit vjetërsi", - tha drejtoresha e buxhetit në Ministrinë e Financave, Mimoza Dhembi.
Por, ky qëndrim është hedhur poshtë nga përfaqësuesi i Unionit të Gjyqtarëve, Luan Hasveziri dhe ish-kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sander Simoni, të cilët kanë ilustruar argumentin e vet me një fakt konkret, rrogën që ata merrnin në bazë të ligjit të vjetër dhe rrogën që marrin me ligjin e ri.
Kështu, sipas tyre, një gjyqtar i shkallës së parë të Krimeve të Rënda, merrte deri në fund të vitit 2008, pra kohë kur funksiononte ende ligji i vjetër, 102 mijë lekë të rinj, ndërsa sot merr 85 mijë lekë rrogë bazë dhe 10 për qind e kësaj rroge shtesë për vështirësi pune, pra një pagë prej afro 93.5 mijë lekë të rinj.
Ndërsa përfaqësuesja e Ministrisë së Financave ka këmbëngulur se i vetmi ndryshim konstaton se, si pagë bazë tashmë, për të llogaritur qoftë vështirësinë, qoftë vitet e vjetërsisë, është vetë rroga e këtyre gjyqtarëve dhe jo rroga e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.
Prandaj, ka bërë të ditur ajo, kjo skemë llogaritjeje, kur është hartuar, është marrë parasysh edhe detyrimi kushtetues, për të mos pasur shkurtim apo kufizim të pagës.