Topalli: Unë, pasuesja e Berishës në PD
TIRANË- Ashtu si kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, edhe nënkryetarja e selisë blu, Jozefina Topalli, mendon se do të jetë gjatë në politikë.
Në një intervistë për emisionin "Kontrast", teksa është pyetur për pasuesin e kryetarit të PD-së, Topalli ka lënë të kuptohet se aspiron për këtë post, sado vonë qoftë ajo ditë, teksa si shembull sjell zgjedhjen e Ronald Reganit si President të SHBA-së, në moshën 69 vjeçare.
Ajo ka folur edhe për bilancin e punës së saj, për të cilën, ajo pranon se edhe ka gabuar. Topalli është përgjigjur edhe për zgjedhjet në parti, ku është fokusuar mbi kriteret që do të ndiqen për deputetët e ardhshëm dhe risitë, që do të ketë fushata e PD-së.Topalli ka pranuar, gjithashtu, se nuk i vjen keq që, në zgjedhjet brenda partisë, nuk është zbatuar parimi: "një anëtar një votë".
Ajo ka paralajmëruar edhe ndryshim të protokollit të shtetit, teksa është pyetur për pjesëmarrjen e saj në Samitin e NATO-s.
Znj. Topalli, ndryshe nga Samiti i Bukureshtit, ku një vit më parë u mor ftesa e anëtarësimit të Shqipërisë, ku ishte Presidenti dhe Kryeministri, këtë vit ishit edhe ju pjesë e protokollit.
Pati edhe në media komente: tre krerët më të lartë të shtetit, shkelin protokollin, pasi njëri prej tyre duhet të jetë në Shqipëri, sipas protokollit. Ju keni qenë kritikuese, kur keni qenë në opozitë, nëse ndodhte e njëjta situatë. U është dukur ndryshe kësaj here?
Jo. Mendoj se protokolli, ndoshta duhet të rishikohet në disa aspekte, se ai protokoll është i 30 vjetëve më parë, për ngjarje të tilla historike, që nuk përsëriten më as në gjithë jetën time, as në atë të fëmijëve të mi.
E ndjen që duhet të marrësh pjesë, për faktin se ne morëm këtë anëtarësim, këtë pasaportë besimi, siç e quan edhe Kryeministri. Vlen edhe për faktin se Kuvendi ka qenë një mbështetës i reformave të ndërmarra nga z. Berisha, që nuk kanë kaluar kollaj në Kuvend.
Unë e di sesa momente jo të këndshme kam kaluar për të kaluar ligje që anatemoheshin, që nuk pranoheshin. Kërkohej që të mos realizohej kuorumi, që të mos votohej. Kështu që Kuvendi ka pasur një peshë të jashtëzakonshme.
Pikërisht për këtë arsye, po thoni që duhet të ishit pjesë e delegacionit?
Nuk dua të them këtë. Po them se është një moment historik, të cilin nuk mund ta humbisja.
A kishte kryetare të tjerë parlamentesh, përveç teje, në Samit? Homologu juaj kroat nuk e di a ishte prezent...
Jo, kryetari i Kuvendit kroat nuk ishte, por ishin anëtarë të tjerë të qeverisë kroate.
Përpos kësaj, i rikthehem edhe njëherë pyetjes për tre krerët më të lartë të institucioneve kryesore të shtetit, pjesë e delegacionit.
Ne të gjithë e dimë që nuk janë më ato raporte që keni pasur ju, Berisha dhe me Presidentin Topi. Kjo u vu re dhe tek momenti i kthimit në Rinas, kur u bë ceremonia. Presidenti Topi foli dhe më pas u largua. Si ishte komunikimi mes ju të treve, të paktën si krerët e shtetit, pjesëtar të këtij delegacioni?
Të lutem më lejo që në këtë moment shumë të rëndësishëm të ngritjes së flamurit të Shqipërisë në NATO, të mos merremi më gjëra dytësore, nëse ju do të ma pranoni. Aq me tepër që këtë pyetje mund t'ia drejtoni vetë z. Topi.
Atëherë të flasim për festën. Ndoshta do të kishte qenë mirë të ishte përfshirë edhe opozita, të ishte dhe ajo pjesë e kësaj feste. A kishte ftesë për opozitën?
Absolutisht. Të gjithë kishin ftesë, që nga Kryetari i shtetit, që nga Kryetari i opozitës, deputetët, të majtë, të qendrës, pra të gjithë kishin ftesë.
Pse nuk e pranoni propozimin e opozitës për të shpërndarë kartat falas për kategori të caktuara?
Sepse nuk ndodh askund në botë. Mund të ketë ndodhur në raste të veçanta, në dy apo tri vende, që nuk janë shtete, shtet në kuptimin e infrastrukturës së tij. Sepse çmimi i saj është i arsyeshëm, për pensionistët është një paketë cigare, është një kafe, dy kafe. Janë bërë të gjitha lehtësimet e mundshme.
Pse nuk gjeni një pakt, le ta quajmë të tillë, mes qeverisë dhe opozitës për këtë çështje?
Sepse është një kazus i paqenë, që nuk qëndron. Kjo kartë, për një kategori apo tjetër, ka shkuar në dymijë lekë të vjetra, tre mijë lekë të vjetra, apo pesëmijë lekë të vjetra. Më thuaj, cila familje shqiptare, nuk ka 5 mijë lekë të vjetra. Pesë mijë lekë të vjetra janë gjysma e kartës së celularit.
Kemi parë, madje edhe në ekranet e televizorit, se ka familje vërtet që nuk kanë as 5 mijë lekë të vjetra...
Jo, nuk janë ashtu shqiptarët. Mos mendoni se kjo është një shumë aq e konsiderueshme sa të përbëjë problem. Ky është një abuzim.
Të ndalemi tek zgjedhjet e 28 qershorit. Mbi ç'bazë do të përzgjidhen kandidatët për deputetë në listat e ardhshme të PD-së?
Brenda PD-së, unë besoj se ne do të kemi si kusht kryesor kontributin, sistemin e vlerave, që këta njerëz përcjellin dhe, pa dyshim do të ketë edhe të reja, kryesish tek gratë.
Berisha, padyshim që do të ketë një rol të rëndësishëm në hartimin e listës, por edhe ju si numri dy i kësaj partie, çfarë roli do të keni në përzgjedhjen e emrave, apo edhe i nënkryetarit tjetër, z. Patozi?
Absolutisht ne kemi kryesinë e vogël. Dhe, siç ka ndodhur edhe më parë, ne i dëgjojmë, përpiqemi të masim sa është reputacioni i atij njeriu, sa konsensus ka në një zonë, apo në një tjetër, pavarësisht se nuk është ndarë në zona elektorale. Pra, sa vlera sjell, sa aktiv do të jetë në Kuvend, sa vizion ka, sa profesionist është.
Meqenëse jemi në këtë moment, ju, gjatë fushatës do të jenë në krah të Kryeministrit?
Sepse deri më tash, ju keni qenë në ture të ndara. Ai tur, dhe ju tur më vete.
Fushata udhëhiqet nga Kryetari i partisë, që është Kryeministri aktual dhe besoj se do të jetë edhe Kryeministri i ardhshëm.
Do të jetë, apo e besoni?
Unë them do të jetë, por do t'ua lëmë zgjedhjeve. Natyrisht nuk e vendos unë, por zgjedhësit. Unë them se janë 1001 arsye dhe besoj se do të jetë.
Në vitin 2005, PD-ja pati një prurje me atë që u quajt KOP. Pas katër vitesh, një pjesë e mirë e tyre janë deputetë dhe ministra, një pjesë tjetër e patën rrugën e shkurtër, nuk janë aktivë. Në vitin 2009, çfarë do të ndodhë?A ka një kontradiktë brezash në PD, mes të rinjve dhe të vjetërve?
Ka një shkrirje midis brezave, ka një vazhdimësi. Besoj se e reja kësaj here do jenë gratë.
A do të kemi zgjedhje për Kryetarin e PD-së së Tiranës, para zgjedhjeve?
Po. Brenda prillit do të mbyllet, besoj.
Ju vjen keq që parimi "një anëtar një votë", i premtuar vite më parë, nuk u zbatua në këtë proces zgjedhor të brendshëm në PD?
Jo, nuk më vjen keq, sepse nuk kam besuar kurrë në këtë parim.
Keni qenë kundër këtij parimi?
Kam qenë skeptike.
Çfarë kostoje ka për PD-në tragjedia e Gërdecit?
Nuk besoj se ka kosto për PD-në. Ajo që varej nga PD-ja dhe nga qeveria, ishte reagimi i menjëhershëm. Pa dyshim që përgjegjësitë do t'i gjejë drejtësia.
Çfarë bilanci i bëni punës suaj katërvjeçare?
Për këtë mandat besoj se unë i kthehem fjalimit të parë, që kam mbajtur. Besoj se i kam qëndruar besnike asaj që kam thënë, të paktën në atë që unë mendoj dhe besoj.
Keni premtuar se do të ishit avokatja e opozitës në këto katër vite, por keni pasur dy mocione për shkarkim, në tentativë një të tretë dhe shumë debate të ashpra për punën tuaj....
Absolutisht, por kjo është arritja më e madhe që unë...
Që mbijetuat?
Jo, jo, për mocionet. I kam harruar ato. Ajo për të cilën më vjen mirë, është që nuk ka pasur ndonjëherë mundësi dhe të drejtë opozita që të ngrejë vetëm në një muaj e gjysmë 7 komisione hetimore, siç ka bërë vitin e kaluar.
Për të gjitha akuzat që u ngritën, u ngritën komisione hetimi. U kam çuar me tonelata dokumente, shkresa nga ministri të ndryshme, për të bërë transparencë dhe kontroll të plotë mbi çdo gjë.
Çfarë mendoni se keni bërë keq gjatë punës suaj?
Kur kam qenë e vogël, më kanë mësuar që e rëndësishme është që kur gabon, të mësosh, të ecësh përpara. Nuk e di nëse ekziston ndonjë njeri që nuk gabon në jetën e përditshme, kudo ku ai është.
Nëse e marrim të mirëqenë fitoren e së djathtës në zgjedhjet e 28 qershorit, do të jeni sërish Kryetare e Kuvendit?
Unë di që këto katër vjet kanë qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme.
Do të jeni sërish, apo do t'ju shohim në një post tjetër?
Nuk e di. Nuk e mendoj....
Pak kohë më parë, Kryeministri Berisha është pyetur se a ka pasues në PD për Kryetarin e partisë. Ai tha se janë shumë. A jeni ju njëra prej tyre?
Berisha është Kryeministri i sotshëm dhe me i suksesshmi, besoj në të gjithë historinë e shtetit tonë, që është Kryetari i PD-së, që e futi Shqipërinë në NATO dhe që unë jam e sigurt se do të vazhdojmë të drejtojmë reformën e katër viteve të ardhshme. Për të gjithë ata që ngrenë pyetje të tilla, mund t'ju them se Regani është bërë President për herë të parë, kur ka qenë 69 vjeç dhe është zgjedhur dy herë.
Shkelja e protokollit
Mendoj se protokolli, ndoshta duhet të rishikohet në disa aspekte, se ai protokoll është i 30 vjetëve më parë, për ngjarje të tilla historike, që nuk përsëriten me as në gjithë jetën time, as në atë të fëmijëve të mi. E ndjen që duhet të marrësh pjesë, për faktin, se ne morëm këtë anëtarësim, ketë pasaportë besimi, siç e quan edhe Kryeministri
Ambicia e saj
Berisha është Kryeministri i sotshëm dhe me i suksesshmi, besoj në të gjithë historinë e shtetit tonë, që është Kryetari i PD-së, që e futi Shqipërinë në NATO dhe që unë jam e sigurt se do të vazhdojmë të drejtojmë reformën e katër viteve të ardhshme. Për të gjithë ata që ngrenë pyetje të tilla, mund t'ju them se Regani është bërë President për herë të parë, kur ka qenë 69 vjeç dhe është zgjedhur dy herë.
Për punën e saj
Ajo për të cilën më vjen mirë, është që nuk ka pasur ndonjëhere mundësi dhe të drejtë opozita që të ngrejë vetëm në një muaj e gjysmë 7 komisione hetimore, siç ka bërë vitin e kaluar. Për të gjitha akuzat që u ngritën, u ngritën komisione hetimi. U kam çuar me tonelata dokumente, shkresa nga ministri të ndryshme, për të bërë transparencë dhe kontroll të plotë mbi çdo gjë.
Për kriteret për deputet
Absolutisht ne kemi kryesinë e vogël. Dhe siç ka ndodhur edhe më parë, ne i dëgjojmë, përpiqemi të masim sa është reputacioni i atij njeriu, sa konsensus ka në një zonë, apo në një tjetër, pavarësisht se nuk është ndarë në zona elektorale. Pra, sa vlera sjell, sa aktiv do të jetë në Kuvend, sa vizion ka, sa profesionist është.