Xhamia e re, kryebashkiaku Basha ngre komisionin e ekspertëve

Komisioni për ndërtimin e Xhamisë së Madhe, iniciuar nga Bashkia e Tiranës ka nisur punën e tij. Kryebashkiaku Lulzim Basha, gjatë takimit të parë me ekspertë dhe përfaqësues të Komunitetit Mysliman, tha se shumë shpejt besimtarët nuk do të luten gjatë ceremonive fetare në rrugë, por në vendin që meritojnë. Ai u ka kërkuar ekspertëve të sjellin projekte bashkëkohore, të cilat do të shqyrtohen nga komisioni. “Koha ka ardhur dhe ka kaluar që dhe xhamia e madhe të jetë një realitet në Tiranë. Vullneti për ta përfunduar këtë vepër që i mungon qytetit të Tiranës, është i plotë tek bashkia e Tiranës dhe unë personalisht. Nganjëherë vullneti nuk mjafton dhe në këtë rast synimi i ngritjes së këtij komisioni ka qenë gjithëpërfshirja në vendimmarrjen e aktorëve kryesor”- tha Lulzim Basha, Kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Kreu i Komuniteit Mysliman Shqiptar, Selim Muca e ka konsiderur serioze punën e ndërmarrë nga Bashkia. Ai tha se jo vetëm Komuniteti, por edhe vetë besimtarët do të kontribuojnë që kryeqyteti të ketë një xhami të madhe dhe bashkëkohore.
“Jam shumë i kënaqur që më në fund u arrit të mblidhet një komision i tillë për të biseduar dhe për të marr disa vendime lidhur me ndërtimin e xhamisë së madhe që ne e kërkojmë ka kaq vjet. Po asnjëherë nuk u mblodh një komision i tillë që ta ketë me gjithë shpirt, ndjesinë e nevojës për një xhami të tillë të madhe”- tha Selim Muça, kryetar i komunietit musliman.
Pak ditë më parë kryeministri Sali Berisha u shpreh se në këtë vit të 100-vjetorit të Pavarësisë, do të nisë të ndërtohet edhe një kryegjyshatë e re për besimtarët bekatshinj.