E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhani: “Ora e kuqe ka ardhur. Pergatituni per feste”

"Trofeu do të jetë i joni. Djemtë më kanë premtuar që do të bëjnë të pamundërën. Festa do të kalojë cdo përmasë. Tifozët tanë e meritojnë". Presidenti i Partizanit, Albert Xhani nuk ka asnjë dyshim. Është më i bindur se kurrë. Ora e "kuqe" ka ardhur. "Kemi lojtarët më të mirë. Kemi karakter më të fortë. Jemi skuadër. Dhe mbi të gjitha jemi e tëra shqiptare. Ne kurrë nuk do të jemi vetëm". Partizani është më afër se kurrë pranë plotësimit të një ëndrre, që cuditërisht ka zgjatur jo pak, por 15 vjet. Koreografia e tifozëve, dekori në tribunat pritet të jetë spektakolar. "Zëmra është e kuqe, flamuri është i kuq, Partizani është i kuq", - thotë një nga përfaqësuesit e "Ultrasve të kuq", i cili thotë se prej dy javësh tifozët e Partizanit kanë shpenzuar shuma të jashtëzakonshme për të krijuar në stadium një koreografi të panjohur më parë në Shqipëri. Mijwra flamuj, banderola, fishekzjarre. "Ky titull është edhe për Jotin, kryetifozin tonë historik".
KËSHILLA PER TIFOZET– "Gjendja në skuadër është e mrekullueshme dhe të gjithë lojtarët janë të përgatitur për të dhënë maksimumin në fushë", - thotë presidenti i Partizanit, Albert Xhani, i cili ka investuar shuma të konsiderueshme. "Është kampionati i 60-të i Partizanit në Superligë dhe duhet festuar me një titull,ashtu sic bënë edhe Loro Borici me shokë kur Partizani luajti kampionatin e parë në vitin 1947". Edhe pse do të ketë, ndoshta 1/10 e atyre tifozëve që mund të vinin në "Qemal Stafa", drejtuesit e Partizanit u kërkojnë thirrje tifozëve të kuq besojnë se do të ndihmojnë lojtarët e tyre për të gjetur frymëzimin dhe ritmin e duhur në 90 minutat e fundit ku luhet edhe një sezon i tërë. "U bëjmë thirrje tifozëve të na mbështesin. Edhe pse numri i tyre në shkallët e stadiumi do të jetë shumë i vogël me ata që do të ishin në stadiumin tonë "Qemal Stafa", ata do ta "rrethojnë" ish-stadiumin "Dinamo". Nga ana tjetër, dua t'i paralajmëroj që të mos bien pre e provokimeve, por të jenë të kujdesshëm".
31 TROFE NE FUSHE- Në stadiumin e përgjysmuar si "gjysmagjel", "Selman Stërmasi", ku do të luhet edhe "finalja" e Kampionatit të 69-të Kombëtar të Futbollit, Dinamo-Partizani, do të zbresin në fushë dy skuadra që bashkarisht e kanë fituar 31 herë kampionatin shqiptar, por që me rivalitetin e tyre të spikatur kanë qenë për më shumë se 40 vjet edhe imazhi i futbollit shqiptar. Dinamo ka arkivin e saj, një titull më shumë se Partizani, por skuadra e kuqe me formën që ka treguar në ndeshjet e fundit, vlerësohet si favoritja kryesore për të fituar Superligën, e për tu barazuar kësisoj me blutë, në kuotën e 16 titujve. Gjithsesi, në krahasimin specifik të kombinuar "kampionat + kupë", Partizani ka një trofe më shumë se Dinamo: 30 Partizani (15 kampionate dhe 15 kupa), 29 Dinamo (16 kampionate dhe 13 kupa).
130 DERBI- Dinamo e Partizani të shtunën do të përballen për herë të 130 gjatë historisë së tyre, qysh nga takimi i parë që daton më 14 maj 1950, kur Partizani humbi me rezultatin 1-0. Në 129 ndeshjet e zhvilluara midis tyre, Partizani ka një diferencë të qartë fitoresh ndaj rivales së tij: 46 fitore për Partizanin, 38 fitore me Dinamon, 45 barazime. Edhe golaverazhi flet për të kuqtë: 154 gola të realizuar, kundrejt 136 të Dinamos. Partizani ka në "arkivin e tij" një trofe më shumë se Dinamo, duke llogaritur kampionatet dhe kupat e fituara: 30 Partizani (15 kampionate dhe 15 kupa), 29 Dinamo (16 kampionate dhe 13 kupa). Partizani, që synon fitimin e titullit kampion dhe barazimin me trofe me Dinamon, nga 16, ka një bilanc statistikor pozitiv në 23 ndeshjet e fundit, që nga sezoni 1999-2000. 11 fitore mbajnë firmën e kuqe, kundrejt 9 të Dinamos, ndërsa 3 takime janë mbyllur në barazim. Golaverazhi flet për një gol më shumë të Partizanit: 26-25. Ja dhe ndeshjet e fundit midis tyre në kampionat.
TENSION NË KAMPE - Adrenalina në dy kampet e dy rivaleve të mëdha të "ngujuara" jashtë kryeqytetit është në maksimum. Një kurbë, që kalon të jashtëzakonshmen. Kurrë më parë, një ndeshje e kampionatit modest shqiptar, të pasviteve 1990, nuk ka përjetuar kaq shumë "tension", që nis që nga etja e dy ekipeve për të dominuar pas "epokës bardheblu", por edhe nga "agresiviteti" gjatë katër ndeshjeve të këtij sezoni midis dy ekipeve: dy në kampionat e dy në cerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Në fakt, rikthimi në kohë të jep të drejtë. Pamjet që "prodhoi" fundi i ndeshjes së dytë Partizani-Dinamo në Kupën e Shqipërisë, janë ende të freskëta. Mesfushori shkatërrues i Partizanit, Bledar Devolli u ndëshkua gjashtë muaj, duke humbur sezonin, ndërsa mesfushori i avancuar i Dinamos, Bekim Kuli pasi u dënua me katër ndeshje u fal, duke kryer vetëm një të tillë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›