Xhokoviç e Sharapova, shaka me mediat
Raketa numër një e botës në tenisin për meshkuj Novak Xhokoviç ka surprizuar të gjithë, ndërsa është prezantuar në një konferencë për shtyp në prag të nisjes së turnut Grand Slam US Open me një paruke të verdhë duke imituar tenisten ruse Maria Sharapova. Kur prezantuesi i konferencës ka ftuar përpara mediave Sharapovën, në sallë ka hyrë Xhokoviç. Kjo gjë ka sjellë humor në gazetarët e shumtë të pranishëm. Më pas Xhokoviç është munduar të imitojë Sharapovën me fjalë dhe me gjeste. Teksa numri një i botës në tenisin për meshkuj vazhdonte teatrin, në sallë është paraqitur Sharapova, e cila ishte bashkëpuntore e Xhokoviç në këtë aktrim. Pas momenteve të homorit, gjithçka i është kthyer seriozitetit, ndërsa Xhokoviç ka hedhur poshtë të gjitha dyshimet në lidhje me dorëheqjen e tij të mundshme nga US Open si pasojë e një dëmtimi në shpatull që pak ditë më parë e detyroi të tërhiqej nga finalja e turneut Sinsinati Open të fituar nga Endi Mërrej. Xhokoviç dhe Sharapova janë dy favoritët kryesorë për të fituar turneun amerikan Grand Slam, i cili është dhe një nga më të rëndësishmit të tenisit botëror.