E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrësi në 65 vjet është 50-fishuar në numër popullsie

Durrësi, qytet-porti më i madh i vendit, i dyti pas kryeqytetit si për nga rëndësia ashtu dhe për sa i përket numrit të popullatës, plot 65 vjet të shkuara numëronte vetëm 4 875 banorë, ndërsa sot ka të regjistruar gati 200 mijë banorë. Duke i hedhur një sy statistikave të Bashkisë së Durrësit, rezulton se në një regjistrim të popullatës të kryer në vitin 1923, qyteti i Durrësit kishte 4875 banorë. Në vitin 1938 në një tjetër regjistrim qyteti ishte rritur dhe numëronte 10 500 banorë. Pas Luftës II Botërore, në vitin 1950, numri i banorëve të Durrësit kishte mbërritur në 38 mijë banorë. Po në bazë të statistikave rezulton se në vitin 1989 është realizuar një tjetër regjistrim i popullsisë dhe Durrësi atë vit kishte 85 mijë banorë. Pas vitit 1990 në drejtim të Durrësit pati një dyndje demografike dhe qyteti sipas regjistrimit të fundit elektronik, numëron 186 500 banorë. Kulmi i rritjes së numrit të banorëve të Durrësit kanë qenë vitet 1997 deri në 2002. Kjo kurbë në vitet e mëpasme ka ardhur duke u ulur. Por si shkak i dyndjes demografike kanë qenë resurset ekonomike dhe pozita gjeografike e qytetit si porti më i madh i vendit, por edhe si nyje transportit tokësor, detar dhe atij ajror, pasi edhe aeroporti i Rinasit sikurse edhe porti detar, bën pjesë në qarkun e Durrësit. Një pjesë e mirë e banorëve të vendosur në Durrës gjatë viteve të tranzicionit kanë mundur që të sistemohen me shtëpi banimi si dhe të punësohen në sektorë të tillë si ndërtimi, industria e konfeksioneve, transporti apo diku tjetër, kurse një pjesë tjetër ka emigruar jashtë vendit për t’u vendosur me punë dhe banim atje.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›