Ylberi i Edvinit thyhet në Korçë - Ben Blushi rrezikon të bëhet kurban
Edvini u nis dje mendjen për të takuar të rinj korçarë, por përfundoi në një polemikë me pleqtë “vullnetarë”, sepse dega vendore dhe i dërguari i Asamblesë Ben Blushi, nuk e kishin kryer detyrën. Kriza ka ardhur në një moment të vështirë, por tani, Edvini po shfrytëzon rastin për t’u ndarë nga prania e bezdishme e Blushit, një deputeti që s’po i bindet vullnetit të tij ylberist
TIRANE – Ka qenë një dështim, takimi i Edi Ramës në Korçë dje, kur ndërsa kishte llogaritur që na sallë të kishte të rinj “vullnetarë”, nuk ka pasur veçse ca pleq, që pas rreth dy orë pritje, më në fund ishin gjetur me ngut për të bërë rolin e “vullnetarëve”.
Pas një situate të tillë, Ben Blushi, pritet të jetë “kurbani i radhës”, sepse si i dërguari i Asamblesë, pritet që përgjegjësia e dështimit të këtij takimi të bjerë mbi atë.
Sikur të mos mjaftonte kjo, Edi Rama, i është dashur të përballet dje në Korçë edhe me zemërimin, sharjet e fyerjet e një pjese të anëtarësisë së PS-ës, të cilët kanë qenë të pakënaqur nga politika përjashtuese që po ndjek lidershipi i kësaj partie, politikë që po gjen përhapje edhe në nivelet e dyta të PS-ës, prej të cilave nuk përjashtohet as dega e Korçës. Përplasja me anëtarësinë ka ndodhur në hyrje të ambienteve ku ishte planifikuar takimi me “vullnetarët” e PS-ës. Kjo “frymë revolte” e një pjese të anëtarësisë së kësaj partie, duket se është reflektuar edhe në “frymën dështuese” të takimit, ku strukturat drejtuese të partisë në këtë qytet, nuk kishin mundur të siguronin më shumë se ca pleq “vullnetarë”, që të ishin dëshmitarë të monologut të radhës të kryetarit të tyre Edi Rama.
Në këto rrethana, në përfundim të takimit me pleqtë “vullnetarë” të PS-ës së Korçës, Edi Rama, mësohet t’a ketë zbrazur mllefin e tij, ndaj drejtuesve lokalë të partisë, ku i njohur për fjalorin e tij “të pasur”, nuk ka kursyer sharjet dhe fyerjet nga më të rëndat.
Dështimet e takimeve të Edi Ramës me “vullnetarë”, kanë qenë të dukshme që në fillesat e tyre. Për këtë, Edi Rama, për ta shtyrë sa të mundej kulmimin e dështimit, merrte “vullnetarë” me autobusë dhe i “shëtit” qytet më qytet ku ai ka takime. Duket, problemet e degës së PS-ës, kostoja e “shëtitjes” me autobusë të “vullnetarëve”, fakti apo edhe lodhja e tyre fizike dhe detyrimi për të plotësuar ndonjë kënaqësi tjetër të tyre, si për “week end”, bëri që Rama, në udhëtimin e tij i vetëm të përfundonte në një monolog me pleq “vullnetarë”, pa harruar dhe sharjet e fyerjet që këmbeu reciprokisht me drejtuesit e degës lokale të PS-së së Korçës.