E Diel, 1 Nëntor 2026

Ylli Kelmendi, sërish në pranga dëshmitari i vrasjes së Mirit të Xhikes

As që duket se kanë të mbaruar telashet me drejtësinë për Ylli Kelmendin, i cili dy net më parë është arrestuar për të tretën herë nga policia. Dëshmitari i vetëm okular në vrasjen e bujshme te kartodromi të Fatmir Ramës, këtë herë 44-vjeçari jo vetëm që është kapur me një pistoletë pa leje, por ka dhunuar fizikisht disa punonjës policie. Një gjë e tillë është konfirmuar një ditë më parë nga të dhëna zyrtare të policisë së kryeqytetit, sipas të cilave, ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:30 të së enjtes, në rrugën “Xhorxh Bush”, në afërsi të Kuvendit, kur gjatë momentit të një kontrolli nga shërbimet e Kontroll-Territorit të Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë, Kelmendi ka kundërshtuar këta të fundit dhe më pas i ka goditur me grushta duke u shkaktuar atyre dëmtime të lehta trupore. Megjithatë, policia tha se pas kësaj është kryer arrestimi i 44-vjeçarit duke iu sekuestruar një pistoletë tip TT që ai e posedonte pa leje.

Ndërkohë, dy punonjësve të policisë të dëmtuar nga Ylli Kelmendi iu dha menjëherë ndihma mjekësore dhe vendim ekspertimi mjeko- ligjor, ndërsa materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të të arrestuarit i kaluan prokurorisë për konsumim të veprave penale të “Kundërshtimit të punonjësit policisë së rendit publik” dhe të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”.

I proceduar edhe herë të tjera, Ylli Kelmendi, një ndër personazhet më problematikë për policinë e kryeqytetit, është arrestuar pas mesnatës së të mërkurës, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Komisariatit Nr.1 për kontroll, madje ka ushtruar dhunë fizike ndaj tyre. Sipas të dhënave policore, ka qenë patrulla e Kontroll – Territorit të këtij komisariati, të cilët kanë dyshuar tek 44-vjeçari i cili në orën 01:30 ndodhej në një lokal në rrugën “Xhorxh Bush” në afërsi të Kuvendit në kryeqytet. Për këtë arsye, ata i kanë kërkuar të ushtrojnë një kontroll, por menjëherë kanë hasur në rezistencën e Kelmendit. Sikur të mos mjaftonte kjo, ky i fundit mësohet të ketë qëlluar me grushta punonjësit e policisë gjatë kryerjes së shërbimit duke u shkaktuar kështu dëmtime të lehta trupore. Megjithëkëtë, policia ka arritur të kryejë kontrollin fizik ndaj tij duke i gjetur në brez një pistoletë tip TT, me një krehër me 7 fishekë, të cilën e posedonte pa leje. Këto të fundit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Pas kësaj, arrestimi ka qenë i menjëhershëm, ndërsa policia tha se dy punonjësit e saj të dëmtuar nga 44-vjeçari Kelmendi, iu dha menjëherë ndihma mjekësore dhe vendim ekspertimi mjeko-ligjor.

Dëshmitari kryesor në vrasjen e Mirit të Xhikes

Ylli Kelmendi është një nga dëshmitarët dhe njëkohësisht viktimë, pasi u plagos lehtësisht në atentatin e 29 marsit të vitit 2003 në kartodromin e Tiranës. Kelmendi ka shërbyer gjatë viteve të fundit si truprojë personale i Fatmir Ramës, ndryshe i njohur si Miri i Xhikes, madje duke qenë pranë tij dhe në momentin e atentatit. Nga hetimet që bëri policia, pas ngjarjes rezultoi se njëri nga dy atentatorët e Ramës është plagosur në kokë dhe një sulm të tillë me armë zjarri ndaj tij, rezulton se e ka bërë Ylli Kelmendi.

Arrestimi i parë

Më 24 qershor 2003 Ylli Kelmendi, dëshmitari i vetëm okular i vrasjes së bujshme të Mirit të Xhikes, është përfshirë në një grindje banale me Mynir Cerën. Pas një konflikti të ashpër, Kelmendi ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar mbi të. Për pasojë, Cera ka ngelur i plagosur. Për Kelmendin është marrë menjëherë masa e arrestit dhe është vënë përpara drejtësisë. Ai është dënuar nga Gjykata e Tiranës me dy vjet burg për armëmbajtje pa leje dhe kanosje për vrasje. Lirimi i tij është bërë më 2005. Kelmendi është një personazh i njohur, pasi u plagos në atentatin ndaj shokut të tij, Fatmir Rama, ku ky i fundit mbeti i vrarë.

Arrestimi i dytë

Arrestohet për herë të dytë Ylli Kelmendi. Këtë herë, arsyeja e prangosjes së dëshmitarit kryesor të ngjarjes së kartodromit, ka qenë kanosja e biznesmenit Shkëlzen Zeqillari më 18 shkurt të vitit 2006. Policia tha se dëshmitarët dhe vetë i dëmtuari, kishin treguar se pesë ditë më parë Ylli Kelmendi e kishte goditur biznesmenin me grushta dhe e kishte kërcënuar me pistoletë. Arrestimi është bërë më 24 shkurt të atij viti dhe në makinën e tij ishte gjetur dhe pistoleta me të cilën Kelmendi ka kërcënuar biznesmenin. Ajo është marrë në cilësinë e provës materiale. Gjatë ndalimit policia tha se i kërkuari nuk kishte bërë asnjë lloj rezistence.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›