E Shtunë, 31 Tetor 2026

Z. President, pse nuk e nxirrni dekretin për heqjen e dekoratës së Skënder Brecës?

“Keni thënë në publik se jeni penduar për dekorimin e vrasësit të Xhelal Koprenckës e se e keni anulluar medaljen e turpshme të mirënjohjes, por nga e thëna në të bërë është një boshllëk i madh dhe sot e kësaj dite asnë dekret për anullimin e dekoratës nuk ka dalë nga institucioni juaj. Mos jeni penduar prapë, e doni t’ia lini mirënjohjen, eksponentit të drejtësisë enveriste?”

Dekorimet e 8 majit 2008 të presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, me rastin e “Ditës së Drejtësisë”, lanë një përshtypje të thellë negative në opinionin shqiptar për shkak të vënies në piedestal të padrejtësive komuniste, të persekutorëve apo njerëzve që nuk kanë bërë asgjë tjetër veçse kanë shkaktuar lëndime e vdekje njerëzore. Ky dekorim, përveç shumë domethënieve, e nxori figurën e presidentit me një sërë mangësish në ushtrimin e detyrës së tij. Nëse po e marrim si të mirëqenë faktin se “presidenti nuk e dinte këtë gjë”, atëherë duhet të shqetësoheshim për mungesën e informimit të kreut të shtetit.
Dukuria që e shoqëroi veprimin e kreut të shtetit pas këtij veprimi ishte pohimi i tij në disa media, se tashmë ia kishte hequr dekoratën Skënder Brecës, personit që as nuk po tregon se ku është varrosur i ekzekutuari prej tij, Xhelal Koprencka. Opinioni publik pret ta shohë këtë dekret, por një i tillë nuk po del. Këtë herë ose presidenti nuk e di se del dekret tjetër për heqjen e dekoratës, ose nuk do që t’ia heqë atij këtë medalje e thjesht deklaratat kanë qenë pallavra mashtruese. Si rast më ekstrem, po themi se publiku nuk është informuar pasi ndoshta presidenti e ka nxjerrë dekretin për heqjen e dekoratës. Veçse të gjitha këto nuk shërbejnë për mirë për presidentin.
E pra kujtojmë se Skënder Breca ka marrë “Medaljen e Mirënjohjes” me motivacionin: “Për përkushtim të lartë, korrektësi dhe ndershmëri në ushtrimin e funksioneve të prokurorit”. D.m.th. për korrektësi të treguar në pushkatim.
I vetmi veprim që është bërë nga presidenti ose ndihmësit e tij, është fakti i censurimit të dekreteve në faqen zyrtare të kreut të shtetit. Por, nuk është heqja e dekoratës së një personi, mospublikimi i saj në faqen e internetit të presidentit, por nxjerrja e një dekreti të posaçëm, për heqjen e saj, të përbërë prej dy pikash: Njëra që i heq dekoratën dhe tjetra që ngarkon një institucion për zbatimin e saj. Kjo është në të drejtën e ushtrimit të detyrës së presidentit të Republikës, i cili formalisht i ka thënë opinionit se ka bërë gabim në një rast të tillë.
Më e rënda është publikimi i faktit se ai e ka dekoruar Brecën për aktivitetin e tij pas vitit 1991. Sipas kësaj logjike, edhe zylyftarët dhe arantitët mund të dekoroheshin pas vitit 1991 pavarësisht se ç’kishin bërë më parë, pasi duhej parë puna e tyre e mëtejshme.
“Keni thënë në publik se jeni penduar për dekorimin e vrasësit të Xhelal Koprenckës e se e keni anulluar medaljen e turpshme të mirënjohjes, por nga e thëna në të bërë është një boshllëk i madh dhe sot e kësaj dite asnë dekret për anullimin e dekoratës nuk ka dalë nga institucioni juaj. Mos jeni penduar prapë, e doni t’ia lini mirënjohjen, eksponentit të drejtësisë enveriste?”
Por, si duket, punët nuk janë vetëm këto. Në dekorimet e 8 majit 2008 të zotit president, do të gjesh hetues e prokurorë të tjerë me rekorde të mëdha të dënimeve politike.
Më alarmues është fakti se veprimet e këtij lloji janë të përsëritura edhe tek persona të tjerë, si për shembull Njazi Jaho, një usta i vjetër i shkollës serbo-sovjete, një ndihmës/prokuror që ka dënuar me dhjetëra veta, e më pas, si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit (në drejtimin antiparti), dekorohet nga presidenti me urdhrin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për merita të shquara shkencore dhe profesionale, për ndërtimin e konsolidimin e shtetit ligjor demokratik dhe rolin aktiv në mbrojtjen e të drejtave të njeriut”. A mund të përgjigjej zoti Topi në këtë rast se për çfarë meritash po dekorohej Njazi Jahoja? Për çfarë “meritash shkencore dhe profesionale” meritonte ky njeri të merrte dekoratë, apo pse vepron sot si zëdhënës “juridik” sa herë që ka nevojë Partia Socialiste për një “zë të fortë civil”. A i keni lexuar zoti president pretencat e Njazi Jahos, se sa mediokre janë, se sa të varfra janë në elemente juridike? E pra, prej tyre mund të kenë ardhur mbi 100 vjet burg për ata që ai i kishte përpara si të pandehur. Sigurisht mund të kishte pasur edhe të ekzekutuar, por si duket nuk ia kanë lejuar ata më të lartët një “nder” të tillë.
Nëse ju zoti president kërkoni emra, pyesni të paktën babanë e Vilson Blloshmit që jeton në Bërzeshtë të Librazhdit se me çfarë pretence e ka dënuar Njazi Jahoja.
Opinioni pret zoti president që ju t’i hiqni edhe zyrtarisht dekoratat e të lartpërmendurve, për të përputhur disi ndjesën publike me vullnetin konkret, nëpërmjet nxjerrjes së dekretit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›