E Diel, 1 Nëntor 2026

Është kenaqesi e veçantë për mua, t'i drejtohem Seancës së 59-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ky forum universal i ka shërbyer popujve të botës për të koo

Është kenaqesi e veçantë për mua, t'i drejtohem Seancës së 59-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ky forum universal i ka shërbyer popujve të botës për të koordinuar dhe harmonizuar përpjekjet e tyre për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, për arritjen e prosperitetit dhe mbajtjen lart të vlerave të qytetërimit njerëzor.
Dëshiroj t'ju uroj, Z. President, për zgjedhjen tuaj në këtë tribunë madhështore dhe të shpreh besimin tim për zhvillimin me sukses të tij.

Dëshiroj gjithashtu, t'i percjelle Sekretarit të Përgjithshëm, në emër të vendit tim, vleresimin më të lartë për kontributin e madh për përmbushjen e misionit historik të Kombeve të Bashkuara dhe të aspiratave të popujve tanë për një botë më të mirë, ku të mbretërojë paqja, demokracia dhe prosperiteti ekonomik.

Z. President,

Kjo Seancë e Asamblesë së Përgjithshme mbahet në një vit të shënuar për Europën. Vetëm disa muaj më parë, një ngjarje historike gjallëroi ëndrrën për një Europë më të bashkuar dhe më të fortë. Dhjetë vende Europiane, që kishin një aspiratë të përbashkët për integrim, u pranuan në Bashkimin Europian.

Qeveria Shqiptare dhe shoqeria janë angazhuar në procesin e integrimit europian, dhe po përmbushin reformat e nevojshme, sepse ne kemi vullnetin dhe energjine politike për t'i përmbushur këto reforma.
Shqiperia po punon për forcimin e institucioneve demokratike dhe kapaciteteve të qeverisjes qendrore dhe vendore, për të sjellë legjislacionin dhe realitetin shqiptar në një nivel me standartet Europiane, duke arritur hap pas hapi rezultate konkrete dhe të matshme, të mirëpërcaktuara që më parë.

E vendosur të japë kontributin e vet në sigurinë rajonale dhe globale, Qeveria Shqiptare e konsideron integrimin e vendit në NATO si një nga objektivat kryesore te saj. Samiti i Stambollit, i zhvilluar në Qershor vleresoi progresin e bërë nga Shqiperia dhe inkurajoi thellimin e metejshem te reformave. Ky samit mirepriti kontributin e vendit tone në stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal, si dhe u angazhua për të vlerësuar progresin e mëtejshëm të vendit në samitin e ardhshëm të NATO-s, që shpresojmë se do të shënojë fillimin e negociatave për anëtarësim të plotë në Aleancë. Besojmë se angazhimet e përcaktuara në kuadër të Kartës së Adriatikut, po kontribuojnë gjithashtu për përmbushjen e standarteve të NATO-s në të mirë të stabilitetit dhe sigurisë rajonale.

Mbetemi të bindur se respektimi dhe mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, janë bazat kryesore të një shoqërie demokratike e pluraliste. Qeveria e Republikës së Shqiperise vazhdimisht ka treguar se zbaton standartet e përcaktuara në Konventat e OKB-së dhe Këshillit të Europës, si dhe dokumentat që lidhen me organizatat rajonale, si OSBE, në të cilat luan një rol shumë aktiv, rol që do të vazhdojë ta luajë edhe në të ardhmen. Duke adoptuar legjislacionin bashkëkohor dhe duke u bërë pjesë e instrumenteve më të fundit ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Shqiperia bashkohet me vende që po zbatojnë një numër strategjish dhe programesh kombëtare që përqendrohen në grupe të veçanta të popullsisë, si: gratë, fëmijët, persona në nevojë, minoritete, etj.

Qeveria Shqiptare ka filluar këto vitet e fundit të raportojë në mënyrë periodike në Komitetet e gjashtë Konventave kryesore të OKB-së për të drejtat e njeriut dhe ka marrë në konsideratë rekomandimet e tyre. Ne besojmë se këto mekanizma ndërkombëtare luajnë një rol të rëndësishëm dhe mjaft domethënës si ruajtësit e vlerave të përbashkëta njerëzore, që ne kemi adoptuar së bashku.

Shqiperia, si një nga 191 vendet nënshkruese të Deklaratës së Mijëvjeçarit, është e angazhuar tërësisht për zbatimin e Qëllimeve të Deklaratës së Mijëvjeçarit, të cilat janë reflektuar qartë në Strategjinë tonë Kombëtare për Zhvillim Social dhe Ekonomik. Modeli i rritjes sonë ekonomike, në një shkallë 6-7% për të shtatin vit radhazi, është një bazë e mirë mbështetëse për gjithë shoqerinë, për të mbajtur standarte të larta të respektimit të të drejtave njerëzore dhe luftës kundër varfërisë dhe krimit.

Dëshiroj të përfitoj nga rasti, të falenderoj Agjensitë e specializuara të Kombeve të Bashkuara për asistencën e tyre të vlefshme në mbeshtetje të zbatimit të këtyre objektivave, në nivel qendror dhe vendor.

Z. President,

Qeveria Shqiptare vëren me kënaqësi se një klimë më e shëndetshme e besimit dhe e marrëdhënieve të bashkëpunimit dy dhe shumëpalëshe, po triumfon në rajonin e Europës Juglindore. Vendet e rajonit janë tërësisht të angazhuara në një proces që padyshim do t'i çojë ato drejt integrimit Euroatlantik dhe në të njëjtën kohë, gjithmonë e më larg tendencave ekstremiste që shkaktuan një numër konfliktesh në dekadën e fundit. Politika rajonale e qeverisë që unë drejtoj udhehiqet nga motoja: "Sa më të integruar në rajon, aq me të integruar në Europë". Në zbatimin e kësaj politike Shqiperia po bashkëpunon, si kurrë më parë, me të gjitha vendet e rajonit, duke konsideruar gjithmonë e më pak përkatësinë e kufijve, duke u hapur kështu drejt një tregu të vetëm rajonal, Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë, korridoreve të lëvizjes së lirë, investimeve të huaja direkte dhe luftës së përbashkët e të organizuar kundër krimit të organizuar dhe të gjitha llojeve të trafiqeve ilegale. Në të njëjtën kohë, Shqiperia po forcon menaxhimin dhe kontrollin e kufijve, e udhëhequr nga standartet e BE-së dhe ato të NATO-s.

Shqiperia do të zhvillojë zgjedhjet e përgjithshme nga mesi i vitit të ardhshëm. Ne jemi të angazhuar për të bërë gjithçka kërkohet për të siguruar një proces elektoral plotësisht ne perputhje me standartet ndërkombëtare për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për këtë qellim, ne jemi të angazhuar të vazhdojmë punën me institucionet përkatëse të specializuara për zgjedhjet dhe për të implementuar plotësisht rekomandimet e OSBE/ODIHR. Për ne, procesi dhe standartet janë më të rëndësishme se sa rezultati i zgjedhjeve.

Përsa i përket forcimit të bashkëpunimi rajonal, Shqiperia është e angazhuar për një partneritet me intensiv në të gjitha organizatat dhe nismat rajonale që i shërbejnë promovimit të lidhjeve të fqinjësisë së mirë, forcimit të paqes rajonale, sigurisë dhe stabilitetit, duke siguruar mbeshtetje politike për integrimin në strukturat Euroatlantike, si dhe tërheqjes së financimeve për projekte kombëtare dhe rajonale në fusha prioritare, siç janë energjia elektrike, transporti dhe telekomunikacioni.

Z. President,

Në rrugën e integrimit Europian, rajoni jonë, ende përballet me sfida të mbetura pezull, siç është e ardhmja e Kosovës. Shqiperia vlerëson së tepërmi zhvillimet e fundit demokratike dhe integruese në Kosovë, falë përpjekjeve të popullit të Kosovës dhe partneritetit të institucioneve të saj vetëqeverisëse me UNMIK-un. Më lejoni, Z. President, të uroj Z. Soren Jessen Petersen, Përfaqesuesi i Posaçëm për Kosovën i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, në caktimin në këtë post shumë të rëndësishëm.

Qeveria Shqiptare ndan pikëpamjen se ka ardhur koha për implementimin më të shpejtë dhe koherent të politikave të standarteve të një demokracie multietnike dhe të një statusi Europian për Kosovën. Ky do të ishte çelësi për zgjidhjen e një sërë çështjesh të tjera. Ne vërtet shpresojmë se çështja e statusit final të Kosovës do të gjejë së shpejti zgjidhjen finale, për hir të popullit Kosovar, si dhe Europianizimit të të gjithë rajonit, gjithashtu. Ndërkohë, ne mbështesim përpjekjet për ndërtimin e një shoqerie demokratike dhe multikulturore në një Kosovë të qeverisur nga ligji, toleranca etnike dhe fetare dhe bashkëjetesa. Veçanërisht i dobishëm në këtë kontekst do të ishte dinamizimi i mëtejshëm i transferimit të autoritetit nga UNMIK-u në institucionet legjitime të Kosovës, të cilat po ankorohen tashmë në integrimin Europian. Ne besojme se në Tetorin e ardhshëm në zgjedhjet parlamentare, shqiptarët dhe komunitetet e tjera etnike të Kosovës, do të demonstrojnë vlerat e tyre më të mira dhe do të hedhin një hap përpara drejt konsolidimit të demokracisë multietnike në Kosovë. Ne shpresojmë, gjithashtu, se minoriteti Serb në Kosovë do të marrë përgjegjësitë e veta dhe, përmes votës së lirë, do të japë kontributin e tij për të ardhmen Europiane të Kosovës. Pjesëmarrja e tyre në gjithë nivelet e institucioneve demokratike të Kosovës do të kontribuojë më tej në kosolidimin e paqes, stabilitetit dhe perspektivës Europiane të mbarë rajonit.

Qeveria Shqiptare mbështet dialogun e drejtpërdrejtë mes Prishtinës dhe Beogradit përsa i përket çështjeve politike. Kjo është thelbësore për zgjidhjen e problemeve të mbetura pezull, në frymën e integrimit rajonal dhe Europian.

Shkëlqesitë Tuaja,

Sulmi tragjik terrorist një vit më parë në Bagdat, që mori jetët e 22 njerëzve, duke përfshirë edhe Nën-Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Z. Sergio Vieira de Mello, është ende i freskët në kujtesën tonë. Akte të tilla të shëmtuara dhe të dënueshme vazhduan edhe në ditët dhe muajt e mëvonshem atje dhe në vende të tjera të botës, si: Turqi, Spanjë, Rusi, Indonezi, etj. Terrorizmi është sot kërcënimi më i madh për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, stabilitetin, vlerat e demokracisë dhe qytetërimit botëror.

Në përpjekjet globale për të luftuar terrorizmin vendet tona kanë kuptuar tashmë se terrorizmi nuk mund të identifikohet me një person, fe, racë apo grupe të caktuara të shoqërisë. Ne besojmë se asnjë vend, nuk mund të jetë i suksesshëm i vetëm në luftën kundër terrorizmit. Në këtë kontekst, ne mbështesim forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën globale dhe solidaritetin kundër terrorizmit, ku Kombet e Bashkuara luajnë një rol të pazëvendësueshëm.

Qeveria Shqiptare mbetet e angazhuar në mënyrë konstante për të kontribuar me tej si një anëtare aktive e koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit. Në këtë perspektivë, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë me trupat tona në Irak dhe Afganistan. Ne kemi nënshkruar dhe miratuar, dhe po zbatojmë tashmë, 12 Konventat dhe Protokollet e Kombeve të Bashkuara kundër terrorizmit. Ne bëjmë të njëjtën gjë me Rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke bashkëpunuar ngushtë me strukturat respektive dhe duke paraqitur rregullisht raporte tek ata. Qeveria Shqiptare përshëndet vendimin e Keshillit të Sigurimit për të luajtur një rol aktiv në luftën kundër kërcenimeve terroriste që vijnë nga zoterimi dhe trafikimi i armëve të shkaterrimit në masë. Ne mbështesim Rezolutën 1540 të vitit 2004 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Shqiperia ka marrë gjithashtu të gjitha masat për implementimin e Kodit të Sjelljes për Sigurinë për jetën dhe Sigurimin e Burimeve Radioaktive të IAEA-s. Shqiperia tashmë ka vendosur dhe se shpejti do të nënshkruaje Protokollin Shtesë për Marrëveshjen e Mbrojtjes së IAEAs, ndërsa i bashkohet gjithashtu edhe Nismës së Shtimit të Sigurisë.

Z. President,

Paqja dhe stabiliteti nuk janë vendosur plotësisht në disa rajone të botës. Kombet e Bashkuara dhe Këshilli i Sigurimit janë autoritetet e mandatuara nga Karta për të ruajtur paqen dhe sigurine në botë. Ne mbështesim përpjekjet e tyre të programuara për zgjidhjen e krizave dhe parandalimin e tyre, në pika të nxehta të globit, siç është Iraku, Lindja e Mesme, Afganistani, Sudani, etj. Ne besojmë se kërkohet një angazhim më i madh i komunitetit ndërkombetar në gjetjen e zgjidhjeve për t'i dhënë fund situatave-krizë, si dhe për rritjen e mëtejshme të rolit dhe efektivitetit të strukturave të OKB-së.

Qeveria Shqiptare ka mirëpritur adoptimin unanim nga Këshilli i Sigurimit, të Rezolutës 1546, të 8 Qershorit 2004 për Irakun, duke miratuar qeverisjen e përkohshme në Irak dhe transferimin respektiv të autoritetit dhe sovranitetit, në pavarësi dhe integritet territorial të Irakut, kontrollin e Qeverise Irakene mbi forcat e armatosura dhe mbajtjen e zgjedhjeve demokratike në Janar të vitit 2005. Progresi i bërë në Irak i detyrohet bashkëpunimit mes qeverisë irakene dhe forcave të koalicionit. Ne mbështesim përpjekjet, që do të deshironim të shoqëroheshin me një ulje të tensioneve dhe ndalimin e dhunës ndaj njerëzve të pafajshëm, për rritje të sigurisë, stabilitetit dhe vendosjen e një shoqerie demokratike. Ne denojmë çdo strategji dhune e marrje pengjesh për të arritur qellime politike, ndonjëherë të mbuluara nën një vel fetar, dhe në bashkohemi në një zë me komunitetin ndërkombëtar për ndalimin e menjëhershëm të këtyre akteve. Qeveria Shqiptare mbështet përpjekjet e Kombeve të Bashkuara në asistencën e nevojshme në funksion të ndërtimit të institucioneve demokratike kombëtare në Irak dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike në fillim të vitit të ardhshëm.

Qeveria Shqiptare ndjek me shqetësim të madh zhvillimet në Lindjen e Mesme. Si të gjithë ju, edhe ne besojmë në përpjekjet për të ndaluar përkeqësimin e mëtejshëm të situatës në territoret e pushtuara palestineze, ku dhuna ndaj popullsisë civile po merr gjithmonë e më shumë jetë njerëzisht të pafajshëm, duke përfshirë gra dhe fëmijë. Nga ana tjetër, ne dënojmë çdo akt terrorist kundër popullsisë civile, pavarësisht nën cilin emër qëndrojnë ata. Qeveria Shqiptare beson se paqja mund dhe duhet të arrihet vetëm përmes dialogut dhe negociatave. Ne jemi të bindur se Këshilli i Sigurimit, Katershja dhe Komuniteti Ndërkombëtar, kanë autoritetin për vendosjen e një paqeje të qendrueshme në Palestinë dhe në gjithë rajonin e Lindjes se Mesme, bazuar në Rezolutat e Këshillit të Sigurimit. Komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë të monitorojë nga afër zbatimin e Road Map-it, për të shmangur kështu devijimin, ndryshimin, keqinterpretimin dhe bllokimin e saj nga palët në konflikt.

Zhvillimet dhe realitetet aktuale në arenën ndërkombëtare, problemet akute dhe sfidat me të cilat po përballemi, siç është ruajtja e paqes dhe sigurisë, përballja me kërcënimet dhe rreziqet e terrorizmit, lufta kundër varfërisë dhe sëmundjeve fatale, efektet e globalizimit dhe degradimi ambjentalist, kanë mprehur dukshëm nevojën për rigjallërimin e organizimit tonë. Qeveria Shqiptare mbështet përpjekjet e Sekretarit të Përgjithshëm për reformim të organizimit, në mënyrë të veçantë ndaj nismave të ndërmarra përsa i përket reformave të Këshillit të Sigurimit. Ne u bashkohemi zërave që thërrasin për një OKB më të fortë, me organe dhe mekanizma më efiçente, që janë të angazhuar në monitorimin dhe implementimin e detyrimeve nga shtetet anëtare të OKB-së, në veçanti ato që kanë të bëjnë me sigurinë globale. Pra, ka ardhur koha të kemi një Këshill Sigurimi më përfaqësues, më transparent dhe më fleksibël, që do të reflektonte më mirë realitetet aktuale. Zgjerimi i tij me anëtarë të përhershëm dhe jo të përhershëm, do të rrisë mundësitë për të gjitha vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara të kontribuojnë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit ndërkombetar. Do të ishte një hap domëthënës drejt kompletimit të reformave të OKB-së.

Z. President,

Vendi im është i gatshëm të kontribuojë më shumë në aktivitetet e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht dhe në axhendat globale dhe rajonale të lidhura me zhvillimin ekonomik dhe social, mbrojtjen e lirive themelore dhe të drejtave të njeriut nëpër botë. Për këtë qëllim, Shqiperia ka paraqitur për herë të parë kandidaturën për t'u bërë anëtare e ECOSOC për periudhën 2005-2007.

Z. President,

Pak javë më parë mbarë bota qe dëshmitare e përfundimit me sukses të Lojërave Olimpike në Athinë. Të mbledhur rreth pishtarit Olimpik, sportistë dhe sportiste treguan se sa afër mund të qendrojnë kombet me njëri-tjetrin dhe se si të lëmë mënjane urrejtjen dhe konfliktet. Le të lëmë simbolin e paqes dhe vëllazërisë Olimpike të na ndihmojë të ndërtojmë një botë më të mirë dhe më të sigurt për të tashmen dhe për brezat që do të vijnë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›