Zabrden, përleshje mes maqedonasve dhe policisë greke, reagon Shkupi
ZABRDEN- Qeveria maqedonase shprehet e shqetësuar për ngjarjet e djeshme në fshatin grek, Zabrden, në kufirin me Maqedoninë, ku banorët vendas të komunitetit maqedonas u përleshën me forcat policore greke. Ngjarja ndodhi mbrëmë ndërsa lajmi është publikuar sot nga televizioni A1 në Shkup, sipas të cilit banorët e këtij fshati i takojnë komunitetit maqedonas që jetojnë në territorin grek.
Dhuna vijoi pasi banorët kërkuan tërheqjen e forcave ushtarake greke nga ky rajon, ku po zhvilloheshin për disa muaj stërvitje ushtarake. Nga përleshjet një person është plagosur rëndë ndërsa katër të tjerë u arrestuan nga policia greke.
Media maqedonase raportoi se banorët kishin vënë barrikada për të penguar që forcat ushtarake të fillojnë stërvitjet në një kamp të improvizuar ushtarak në afërsi të fshatit Zabrden, që gjendet në territorin e shtetit grek, por siç thuhet është i banuar me banorë të komunitetit maqedonas.
Forcat ushtarake greke u kthyen në këtë rajon, edhe pse dhjetë ditë më parë ato u tërhoqën pas kërkesës së banorëve të këtij fshati.
Por forcat ushtarake sërish u kthyen dje të shoqëruara nga forca të mëdha të njësiteve policore greke, të cilët ndërhynë për të hequr barrikadat.
Banorët pretendojnë se ushtarët grekë po dëmtonin tokat e tyre me mjetet e rënda transportuese dhe po rrezikonin popullatën për shkak të përdorimit të armëve të ndryshme.
Kryeministri Nikolla Gruevski paralajmëroi se do të informonte bashkësinë ndërkombëtare në Uashington dhe Bruksel në lidhje me këto incidente.
(s.g/BalkanWeb)