E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas emërtimit të rrugëve dhe shesheve Gjakova e gatshme për regjistrimin e popullsisë

Gjakovë, 17 gusht - Qeveria lokale e Gjakovës të martën ka kërkuar që të përshpejtohen punët rreth vazhdimit dhe kompletimit të procesit të emërtimit të rrugëve dhe shesheve të Gjakovës, me qëllim të hartimit të hartave adekuate dhe vënies së tabelave të reja të rrugëve dhe numrat e shtëpive, me çka Gjakova e pret e gatshme procesin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë që do të bëhet më 2011.
Në takimin e kryesuar nga nënkryetari i Komunës, Agim Koci, u tha se Komisioni komunal për emërtimin e rrugëve dhe shesheve ka kryer punën kryesore duke emëruar rrugët dhe sheshet e Gjakovës , mirëpo ka ngelur që të bëhen edhe disa plotësime me emrat e disa dëshmorëve të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, Ka raportuar KosovaLive.
“Asambleja Komunale ka miratuar në parim punën e Komisionit komunal për emërtimin e rrugëve dhe shesheve por kanë ngelë edhe disa plotësime të cilat do të përfshihen në afat sa më të shkurtër për të përcaktuar listën definitive, hartën e qytetit dhe për t'u shpallë tenderi për tabelat dhe numrat e shtëpive”, tha Koci.
Me këtë rast u tha se në mbledhjet e kaluara të Asamblesë Komunale, drejtues të Komisionit komunal për emërtimin e rrugëve kanë dalë me raport të punës, sipas të cilit janë emëruar rrugët dhe sheshet e reja, ndërsa disa rrugë të gjata janë ndarë në dy pjesë por edhe rrugica tjera kanë marrë emërtime të reja.
Leonora Rraci, drejtoreshë e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor ka parashtruar dinamikën e punëve që duhet të ndërmerret në përmbylljen e këtij procesi të rëndësishëm për komunë.
“Kërkohet që të punohet harta e re e rrugëve sipas të cilës do të definohen saktë rrugët dhe sheshet, gjatësia e tyre dhe zona që përfshijnë ato, pasta një komision të dalë në teren dhe të bëjë matjen e rrugëve dhe evidencimin e shtëpive për faktin se tash çdo shtëpi do të ketë numër të ri”, theksoi Rraci.
Ajo tha se për shumë vjet, në shumë lagje me ndërtimet e reja, nga një hyrje për një familje janë shndërruar në dy, tri e më shumë, prandaj secila nga to do të ketë numra të rinj që inkorporohen në listën e tërë lagjes.
Qeveritarët komunal, pasi kërkuan që këto punë të afatizohen, theksuan se përmbyllja me sukses e këtij aktiviteti do të bënte që Gjakova ta pres e përgatitur procesin e regjistrimit të popullatës, që planifikohet të bëhet vitin e ardhshëm.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›