E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zamir Dika inaugurohet rektor i UEJL në Tetovë

Tetovë, 1 shtator  - Prof.Dr Zamir Dika është inauguruar sot rektor i Universitetit të Evropës Juglindore. Me rastin e emërimit të tij gjatë fjalimit ai u falënderua për besimin që i është dhënë për rektor të këtij universiteti të ri dhe të veçantë në Republikën e Maqedonisë dhe më gjerë.

"Kam pasur fatin, por edhe nderin, të jem në këtë Universitet që nga ideja e themelimit të tij. Ky universitet, ka vendosur themelet e tij, i ndihmuar nga një konzorcium i veçantë në rajonin e Evropës Juglindore. Me një harmoni të përkryer bashkëpunimi mes komunitetit lokal, nacional dhe ndërkombëtar, u kurorëzua projekti madhor i këtyre hapësirave – Universiteti i Evropës Juglindore. Përveç që është i shprehur me këtë kampus të mrekullueshëm, ky universitet edhe ka arritur të zhvillohet në një mjedis të veçantë akademik, duke shkëmbyer eksperienca intensive me profesorët e universiteteve partnere ndërkombëtare dhe me pjesëmarrjen në programe të ndryshme për trajnim dhe zhvillim profesional", deklaroi Dika, raporton MIA.

Ai më tej shtoi se programet studimore, falë këtij historiku, përmbajnë në vete pragmatizmin dhe shkëkqyeshmërinë amerikane, sidomos në fushën e biznesit dhe të shkencave kompjuterike, por edhe traditën e vlerave civilizuese evropiane në lëmin e programeve me interes të drejtpërdrejtë publik. "Si Universitet i ri, kemi pasur fatin që të startojmë duke ndjekur rekomandimet fundamentale të frymës reformuese të arsimit të lartë në Evropë, të shprehur nëpërmjet procesit të Bolonjës. Të gjitha këto tendenca i kemi kuptuar si një përpjekje serioze për t’i pajisur studentët tanë me dije, kompetenca dhe shkathtësi të nevojshme për tregun global", citoi rektori i ri i UEJL-së.

Dika theksoi se beson fort në tendencat, që kanë hapur një debat të thellë për rolin e universiteteve në mileniumin e tretë, ngase qasja tradicionale dhe kolektive sikur i kishte larguar universitetet nga nevojat reale të shoqërisë dhe industrisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›