Zhduket telefonata, që nxori Kryeziun nga shtëpia

Anila Leli, bashkëshortja e të humburit, gjatë dëshmisë 8-orëshe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, deklaroi se ditën kur është zhdukur Ismeti, dikush e ka marrë në telefon rreth orës 16:20, ndërsa ai i është përgjigjur se "erdha për 5 minuta".
Por Leli është befasuar nga provat e policisë, të cilët kanë në dorë edhe listën e telefonatave të Kryeziut ditën e rrëmbimit, sipas të cilave rezulton se ai nuk ka kryer apo ka marrë telefonatë. Gjatë dëshmisë 8-orëshe, gruaja ka pranuar të rrëfejë të gjitha enigmat, nga vizitat e Kryeziut në shtetin e Iranit e deri te jeta e tyre në Kosovë.
Policia ngre akuzën e rrëmbimit për zhdukjen e Ismet Kryeziut. Faktet e mbledhura deri tani çojnë vetëm në një pistë, atë të rrëmbimit, megjithëse motivi ende nuk është kthjelluar për strukturat e specializuara të
policisë. Kjo konfirmohet edhe nga prokuroria, e cila ia ka kaluar çështjen për hetim seksionit të antiterrorit
në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.